Bashkimi Evropian i ka dhënë Ukrainës një këst të ri prej 1.24 miliardë eurosh, në kuadër të mbështetjes për forcimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse, pas sulmit të fundit masiv rus me raketa dhe dronë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Rusia po vijon atë që ajo e cilësoi si një strategji të qëllimshme për ta bërë jetën e përditshme të ukrainasve “të padurueshme”.
“Rusia po vijon strategjinë e saj të qëllimshme të terrorit, duke u përpjekur ta bëjë jetën e përditshme të ukrainasve të padurueshme”, deklaroi von der Leyen.
Sulmi i fundit rus shkaktoi viktima, dhjetëra të plagosur dhe dëme të konsiderueshme në disa zona të Ukrainës.
Sipas Komisionit Evropian, fondet e reja do të përdoren për forcimin e industrisë ukrainase të mbrojtjes, duke financuar sisteme për interceptimin e dronëve, municione kundër dronëve dhe raketa të prodhuara nga kompanitë ukrainase.
Von der Leyen theksoi se kjo mbështetje do të ndihmojë Ukrainën të rrisë kapacitetet për mbrojtjen e territorit, popullsisë dhe infrastrukturës së saj.
Financimi është pjesë e paketës së huasë prej 90 miliardë eurosh të miratuar nga BE-ja për mbështetjen e Ukrainës gjatë viteve 2026 dhe 2027.
Komisioni Evropian bëri të ditur se këste të tjera financiare pritet të disbursohen gjatë javëve të ardhshme.


