Ebola, nga Kongo në Kenia/ Konfirmohet rasti i parë i prekur nga virusi i rëndë

7 Tetor 2026, 20:55Bota TEMA
Ebola, nga Kongo në Kenia/ Konfirmohet rasti i parë i prekur nga

Ebola po përhapet në zona gjithnjë e më të vështira për t’u monitoruar në Republikën Demokratike të Kongos, ndërsa alarmi është zgjeruar edhe në Kenia, ku është konfirmuar rasti i parë i importuar i sëmundjes së shkaktuar nga virusi Bundibugyo.

Në Kongo, situata paraqitet veçanërisht shqetësuese në provincën e North Kivu, e cila tashmë përbën rreth 40 për qind të rasteve të reja të konfirmuara. Sipas autoriteteve shëndetësore afrikane, më shumë se 70 për qind e rasteve të reja po shfaqen jashtë listave të personave që njihen si kontakte të rasteve të mëparshme, ndërsa të paktën 60 për qind e viktimave po humbin jetën jashtë qendrave të trajtimit.

Sfida kryesore mbetet gjurmimi i kontakteve. Sipas të dhënave të paraqitura nga drejtuesi i Qendrës Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, vetëm rreth 23 për qind e kontakteve të pritshme janë gjurmuar deri tani.

Përhapjen e vështirësojnë lëvizjet e mëdha të popullsisë, aktivitetet minerare, mungesa e shërbimeve shëndetësore dhe mosbesimi ndaj autoriteteve. Organizata Mjekë pa Kufij paralajmëron se në disa zona reagimi ndaj epidemisë mbetet kaotik dhe mungojnë ekipet në terren.

Sipas të dhënave të raportuara nga autoritetet kongoleze, mbi 8 mijë e 500 raste janë regjistruar gjatë këtij shpërthimi.

Ndërkohë, më 6 tetor, Kenia konfirmoi rastin e parë të importuar. Pacienti, një shtetas kenian që kishte jetuar në Kongo, udhëtoi përmes Ugandës dhe mbërriti në Nairobi më 3 tetor. Ai u izolua, por humbi jetën dy ditë më vonë. OBSH-ja konfirmon se 28 kontakte janë identifikuar, ndërsa po gjurmohen edhe 23 pasagjerë dhe katër anëtarë të ekuipazhit të fluturimit.

Autoritetet keniane kanë shtuar kontrollet në pikat kufitare dhe aeroporte, ndërsa OBSH-ja thotë se deri tani nuk rekomandohet kufizimi i udhëtimeve apo tregtisë me Kenian, Ugandën apo Kongon.

Virusi Bundibugyo është një formë e Ebolës për të cilën aktualisht nuk ka vaksinë apo trajtim specifik të miratuar.

Lini një Përgjigje