Një paralajmërim i ri ka ardhur këtë të mërkurë nga Irani, i cili ka deklaruar se është i gatshëm të vijojë me një bllokadë të plotë të Ngushticës së Hormuzit, duke mbyllur të gjitha rrugët detare që, sipas Teheranit, përdoren në mënyrë të paligjshme për transportin e naftës.
Një zyrtar i lartë i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) pretendon se Irani ka kontroll të plotë mbi këtë kalim strategjik detar dhe se ai do të mbetet i mbyllur derisa të përmbushen ato që Teherani i konsideron si “kërkesa legjitime”.
Ndërkohë, mesazhe të tjera nga Forcat e Armatosura iraniane sinjalizojnë një ndryshim më të gjerë në qëndrimin ushtarak të vendit, me fokus te raketat me rreze të gjatë veprimi, mjetet e reja ajrore pa pilot dhe aftësia për të ndërmarrë sulme parandaluese.
Mohammad Reza Naqdi, këshilltar i lartë i komandantit të Gardës Revolucionare, deklaroi në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve Fars se Irani do të mbyllë së shpejti të gjitha rrugët detare “të paligjshme” në Ngushticën e Hormuzit.
Sipas Naqdit, disa prej këtyre rrugëve janë krijuar pas shpërthimeve dhe ndërhyrjeve në kalimet shkëmbore të ngushticës dhe përdoren nga anije të vogla për transportin e naftës.
