Rusia pritet të regjistrojë këtë vit nivelin më të lartë të shpenzimeve ushtarake, pasi Vladimir Putin ka shtuar rreth 60 miliardë dollarë mbi buxhetin e parashikuar fillimisht.
Të lidhura
None found
Rishikimi i ndjeshëm i fondeve për luftën në Ukrainë u bë nga presidenti rus në fund të vitit të kaluar. Vendimi erdhi pasi Kremlini vlerësoi se negociatat me Shtetet e Bashkuara në Alaska nuk do të sillnin një marrëveshje afatmesme për përfundimin e luftimeve, me kushte të pranueshme për Moskën.
Sipas dy burimeve pranë qeverisë ruse, të cituara nga Bloomberg, shpenzimet e mbrojtjes pritet të arrijnë deri në fund të vitit në 17 trilionë rubla, ose rreth 199 miliardë dollarë. Kjo shumë është afërsisht 40 % më e lartë se plani fillestar i qeverisë për fundin e vitit 2025.
Vlera e re është tashmë pranë nivelit të shpenzimeve ushtarake të planifikuara për vitin e ardhshëm, sipas buxhetit të ri të paraqitur nga zyrtarët rusë javën e kaluar.
Rritja e fondeve shihet si një sinjal tjetër se Putin po përgatitet për vazhdimin dhe përshkallëzimin e luftës në Ukrainë. Moska ka intensifikuar sulmet me raketa dhe me dronë më të shpejtë e më të vështirë për t’u interceptuar, duke goditur objektet energjetike, rrjetin e transportit, spitalet dhe struktura të tjera civile.
Ndërkohë, kreu i Kremlinit ka shprehur shqetësim të madh për retorikën që ai e konsideron gjithnjë e më agresive nga kryeqytetet evropiane. Pas një vargu sulmesh dhe kërcënimesh hibride, vendet evropiane kanë shtuar shqetësimet mbi synimet e Rusisë dhe mundësinë e një përplasjeje më të gjerë.
Kjo prirje përbën një ndryshim të fortë krahasuar me një vit më parë. Në atë periudhë, Rusia synonte të ngadalësonte rritjen e shpenzimeve ushtarake për të kufizuar deficitin dhe për të rikthyer rezervat e parave cash, të konsumuara gjatë luftës.
Para miratimit të buxhetit për vitin 2026, Putin u takua në gusht 2025 me presidentin amerikan Donald Trump në Anchorage të Alaskës. Sipas njërit prej burimeve, pas takimit lideri rus besonte se një marrëveshje paqeje me Ukrainën mund të arrihej brenda vitit të ardhshëm, duke shmangur nevojën për një rritje të madhe të shpenzimeve ushtarake.
Por deri në janar, Kremlini doli në përfundimin se një marrëveshje me Ukrainën nuk ishte e arritshme, pasi përpjekjet e ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara nuk kishin prodhuar përparim të rëndësishëm.
Pas këtij vlerësimi, qeveria e Moskës përshpejtoi zgjerimin e industrisë së mbrojtjes dhe rriti edhe zërat e tjerë financiarë që lidhen me luftën.
Si pasojë, deficiti buxhetor i parashikuar i Rusisë për vitin 2026 kaloi në mbi 7 trilion rubla, ose rreth 81.9 miliardë dollarë, nga 3.8 trilion rubla që ishte parashikimi fillestar. Për të mbuluar shpenzimet shtesë në vitin 2026, qeveria përdori huamarrje më të lartë të brendshme dhe shitje ari.
Gjatë verës, Rusia zgjeroi operacionet e saj ushtarake në Ukrainë dhe intensiteti i tyre ka vijuar deri më tani. Në javët e fundit, forcat ruse kanë sulmuar në mënyrë të përsëritur objektiva civile, mes tyre edhe Kievin, ndërsa dronët janë përdorur gjithashtu për të goditur ura në kryeqytetin ukrainas.
Paralelisht, sulmet ndaj anijeve pranë porteve të Detit të Zi janë kthyer në një ngjarje pothuajse të përditshme. Ukraina, nga ana e saj, ka shtuar goditjet kundër qendrave energjetike në territorin rus.
Sipas planeve buxhetore, shpenzimet ushtarake për vitin 2027 pritet të jenë 17.1 trilion rubla. Ato parashikohet të ulen lehtë në 16.6 trilion rubla, ose 194.4 miliardë dollarë, në vitin 2028 dhe në 16.3 trilion rubla, ose 190.6 miliardë dollarë, në vitin 2029.
Megjithatë, shpenzimet reale për vitin e ardhshëm mund të dalin sërish mbi objektivat e përcaktuar. Sipas të njëjtave burime, në Moskë po shtohen dyshimet nëse administrata Trump do të jetë në gjendje të ndërmjetësojë një marrëveshje me Ukrainën që Rusia ta konsiderojë të pranueshme.
Tensionet mes Evropës dhe Rusisë u shfaqën edhe më qartë javën e kaluar. Putin akuzoi zyrtarët evropianë se po përgatiteshin për një konflikt të mundshëm në pjesën e dytë të kësaj dekade, duke iu referuar stërvitjeve ushtarake në Detin Baltik dhe deklaratave për enklavën ruse të Kaliningradit.
Presidenti rus deklaroi se Moska nuk kishte në plan të sulmonte Evropën, por paralajmëroi se një sulm i drejtpërdrejtë ndaj territorit rus do ta detyronte vendin të shqyrtonte përdorimin e të gjithë arsenalit të armëve që ka në dispozicion.
“Ne e kuptojmë se do të përballemi me një kundërshtar me dyfishin e popullsisë dhe me aftësi të mëdha ekonomike dhe ushtarake”, tha Putin. Ai shtoi: “nuk kemi kaq shumë forca dhe mjete për t’u përballur me këtë kërcënim. Por askush nuk ka mjetet e shkatërrimit që ka Rusia sot. Dhe këto janë avantazhet tona konkurruese”.







