Ka ndërruar jetë në moshën 87-vjeçare Maricarmen Abascal, gruaja që u kthye në simbol të protestave për strehimin në Spanjë. Ajo ndërroi jetë në spitalin Gregorio Maranon të Madridit, ku ishte shtruar pas dëbimit nga banesa e saj më 23 shtator. Maricarmen kishte jetuar në atë apartament për 71 vite dhe u nxor me barelë nga banesa, pavarësisht protestave të aktivistëve që kundërshtonin dëbimin.
Historia e saj shkaktoi protesta në Madrid dhe qytete të tjera të Spanjës, duke e kthyer rastin e saj në një nga simbolet e krizës së strehimit në vend. Pas presionit publik, pronari i banesës kishte rënë dakord që ajo të rikthehej në shtëpi pas daljes nga spitali, por 87-vjeçarja nuk arriti ta bëjë këtë.
Kryeministri Pedro Sanchez shprehu ngushëllimet për familjen e saj, ndërsa më herët Maricarmen u kishte bërë thirrje protestuesve: “Kurajë! Luftoni!”
