BOTA /

U bë simbol i protestave që çuan në dorëheqjen e kryeministrit spanjoll, vdes e moshuara 87-vjeçare

Kompania pronare i ofroi Abascal mundësinë për t'u rikthyer në apartament me një qira më të ulët, por ajo nuk firmosi marrëveshjen sepse ndodhej në spital

Shkruar nga Versus

U bë simbol i protestave që çuan në dorëheqjen e

Maricarmen Abascal, 87 vjeçe, gruaja që u bë simbol i krizës së strehimit në Spanjë pas dëbimit nga banesa ku kishte jetuar për më shumë se 70 vite, ka ndërruar jetë.

Lajmi është bërë i ditur nga Sindikata e Qiramarrësve të Madridit. Abascal u nxor me forcë nga apartamenti i saj më 23 shtator, me barelë, pasi nuk ishte më në gjendje të përballonte rritjen e qirasë.

Banesa ishte marrë me qira për herë të parë nga babai i saj në vitin 1956. Pas vdekjes së prindërve, Maricarmen vazhdoi të jetonte aty si qiramarrëse.

Për vite me radhë, qiraja ishte e kufizuar, por një ndryshim ligjor i lejoi kompanisë së investimeve Urbagestión, pronare e apartamentit, ta rriste pagesën mujore nga 500 euro në 2,650 euro.

Më vonë, qiraja u ul në 1,650 euro, por edhe kjo shumë ishte rreth 300 euro më e lartë se pensioni mujor i 87-vjeçares.

Tre përpjekje të mëparshme për ta dëbuar nga banesa ishin bllokuar nga gjykatat. Megjithatë, dëbimi i fundit shkaktoi protesta në disa qytete të Spanjës dhe e ktheu historinë e saj në një nga rastet më të diskutuara të krizës së strehimit në vend.

Pas dëbimit, kompania pronare i ofroi Abascal mundësinë për t'u rikthyer në apartament me një qira më të ulët. Por ajo nuk ishte në gjendje të nënshkruante marrëveshjen, pasi ishte shtruar në spital.

“Me keqardhje njoftojmë se Maricarmen ndërroi jetë sot”, deklaroi Sindikata e Qiramarrësve të Madridit, duke e cilësuar rastin e saj si “një pikë kthese në historinë e këtij vendi”.

Vdekja e 87-vjeçares rikthen në vëmendje krizën e strehimit dhe rritjen e kostove të qirave në Spanjë, ndërsa rasti i saj kishte marrë edhe një dimension politik pas protestave mbarëkombëtare./Versus.al

Poll