Kimchi, bibimbap dhe ushqimet koreane prej vitesh po fitojnë popullaritet jashtë Koresë së Jugut. Tani vendi po e çon promovimin e kuzhinës së tij edhe një hap më tej, duke prezantuar për herë të parë një ditë zyrtare kushtuar ushqimit korean.
“Korean Food Day” është përcaktuar ligjërisht dhe do të shoqërohet këtë muaj me një festival treditor në National Museum of Korea në Seul. Eventi do të bashkojë chef-a, krijues përmbajtjeje të fokusuar te ushqimi dhe ekspertë të industrisë.
Qëllimi nuk është vetëm prezantimi i pjatave që tashmë njihen ndërkombëtarisht. Festivali synon të tregojë më gjerësisht kulturën e ushqimit korean, mënyrën e përgatitjes së tij dhe historinë që qëndron pas recetave tradicionale.
Interesi ndërkombëtar për kulturën koreane është rritur ndjeshëm falë muzikës, serialeve, filmave dhe beauty-t. Ushqimi është kthyer në një tjetër mënyrë përmes së cilës njerëzit njihen me vendin, nga restorantet koreane në qytetet europiane deri te produktet që shfaqen gjithnjë e më shumë në supermarketet ndërkombëtare.
Edhe një vakt tradicional korean mund të jetë shumë më kompleks nga sa duket. Korea Times sjell si shembull një menu tradicionale me 13 pjata, që nis me antipasta dhe shoqëruese dhe vazhdon me pjata kryesore, oriz dhe ëmbëlsira.