Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për krijimin e një skeme të re medaljesh, shenjash dhe distinktivësh të veçantë për personelin ushtarak e civil të Forcave të Armatosura, si dhe për ushtarakët e huaj që kanë dhënë kontribute të veçanta për Shqipërinë.
Vendimi përcakton llojet e vlerësimeve, kriteret dhe procedurat për dhënien e tyre, si dhe autoritetet përgjegjëse. Qëllimi është vlerësimi i shërbimit, profesionalizmit, përkushtimit dhe kontributit në Forcat e Armatosura dhe në interes të mbrojtjes e sigurisë së vendit.
Mes medaljeve të reja është “Medalja e vlerave të larta”, e cila do t’u jepet personave që kanë dhënë kontribute të veçanta, kanë treguar profesionalizëm dhe integritet të lartë, si dhe kanë ofruar mbështetje e bashkëpunim të çmuar në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Një tjetër vlerësim është medalja “Për Shërbime të Dalluara”, për ushtarakët aktivë dhe personelin civil që kanë shfaqur merita dhe arritje të spikatura në përmbushjen e detyrave, si dhe kanë kontribuar në rritjen e efektivitetit dhe prestigjit të Forcave të Armatosura.
Në listë përfshihet edhe “Medalja e nderit të Forcave të Armatosura”, ndërsa për akte të veçanta guximi dhe humanizmi parashikohet medalja “Shpëtimtari”. Kjo medalje do t’u jepet personave që kanë kontribuar drejtpërdrejt në shpëtimin e jetës së qytetarëve në situata emergjente ose me rrezikshmëri të lartë.
Vlerësim i veçantë parashikohet edhe për ushtarakët që janë plagosur ose gjymtuar gjatë luftës, operacioneve apo shërbimit zyrtar.
Ndërkohë, “Medalja e vlerësimit në shërbim” do të jepet për çdo 10 vite shërbimi të gjatë, të pandërprerë dhe shembullor në Forcat e Armatosura.
Vendimi parashikon gjithashtu medalje të posaçme për strukturat e Forcave të Armatosura, si “Nderi i Forcës Tokësore”, “Nderi i Forcës Detare”, “Nderi i Forcës Ajrore”, “Nderi i Komandës Mbështetëse”, “Nderi i Komandës Kibernetike dhe Ndërlidhjes” dhe “Nderi i Akademisë së Forcave të Armatosura”.
Sistemi i ri përfshin edhe distinktivë për ushtarakët që dallohen në gara dhe aktivitete kombëtare apo ndërkombëtare. Në këtë kategori përfshihen “Nënoficeri i vitit”, “Ushtari/Detari i vitit”, “Qitës i Dalluar”, “Studenti/Kursanti i vitit” dhe “Sportist i vitit”.
Distinktivi “Qitës i Dalluar” do t’u jepet personelit që demonstron aftësi të shkëlqyera në përdorimin e armëve dhe arrin rezultate të larta e të qëndrueshme në garat kombëtare apo ndërkombëtare të qitjes.
Rregullat e reja krijojnë gjithashtu një sistem shenjash për identifikimin e kualifikimeve dhe specializimeve të veçanta. Mes tyre janë “Operator Special”, “Komando”, “Snajperist”, “Parashutist”, “Shenja e pilotit”, “Pilot i nivelit të lartë”, “Piloti ekspert”, “Teknik fluturimi” dhe “Specialist i Asgjësimit të Municioneve Shpërthyese”.
Shenja të posaçme parashikohen edhe për marinarët dhe zhytësit, përfshirë “Shenja e Zhytësit”, “Shenja e zhytësit special” dhe “Shenja e Zhytësit të operacioneve speciale”.
Në sistemin e ri përfshihen edhe “Shenja e ekspertit në fushën kibernetike”, “Shenja e Shërbimit Mjekësor Ushtarak” dhe “Shenja e titullit akademik”.
Vendimi përcakton edhe autoritetet kompetente për dhënien e këtyre vlerësimeve. Ministri i Mbrojtjes do të japë “Medaljen e vlerave të larta” dhe medaljen “Për Shërbime të Dalluara”, ndërsa Shefi i Shtabit të Përgjithshëm do të ketë kompetencë për një pjesë të rëndësishme të medaljeve, përfshirë “Medaljen e nderit të Forcave të Armatosura”, “Shpëtimtarin”, medaljet për të plagosurit dhe të gjymtuarit, si dhe disa distinktivë të veçantë.
Rregullat përfshijnë edhe procedurat për dekorimin e ushtarakëve të huaj. “Medalja e vlerave të larta” për ta do të jepet nga ministri i Mbrojtjes, ndërsa “Medalja e nderit të Forcave të Armatosura” nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm.
Propozimet për dhënien e medaljeve dhe shenjave mund të paraqiten nga drejtuesit e lartë të Forcave të Armatosura, strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, Drejtoria e Përgjithshme e Politikave të Mbrojtjes apo përfaqësuesit ushtarakë shqiptarë jashtë vendit.
Vendimi do të hyjë në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”, ndërsa për zbatimin e tij ngarkohen ministri i Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.


