Një ditë e veçantë për Armand Dukën. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit feston sot 64-vjetorin e lindjes, i rrethuar nga njerëzit e tij më të afërt dhe miqtë që kanë ndarë me të jo pak momente në rrugëtimin e gjatë në botën e futbollit.
Mes tyre është edhe presidenti i UEFA-s, Aleksandër Ceferin, me të cilin Duka ka ndarë prej vitesh një marrëdhënie të afërt në skenën e futbollit europian. Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale, Duka shfaqet i buzëqeshur, mes urimeve, përqafimeve dhe dhuratave. Një atmosferë e ngrohtë që duket se e ka bërë edhe më të veçantë këtë përvjetor.
Por një nga momentet më të bukura vjen nga Ceferin. Presidenti i UEFA-s i dhuron Dukës një top futbolli, një dhuratë që duket se e prek veçanërisht kreun e FSHF-së. Duka ngrihet menjëherë në këmbë dhe e përqafon, në një moment të thjeshtë, por plot emocion.
Në një ditë ku festohet jeta, miqësia dhe pasioni për futbollin, 64-vjetori i Armand Dukës duket se ka ardhur me një dhuratë që nuk mund të ishte më simbolike: një top dhe një përqafim nga një prej njerëzve më të rëndësishëm të futbollit europian.
