E mërkurë, 7 Tetor 2026 Lajmet e Fundit dhe Moti deri në 23:00 Në vijim ora 23:00: Film TV Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Lifestyle

Arrestohet në Japoni hakeri që dyshohet se shantazhoi mijëra kompani

Një 28-vjeçar rus, i dyshuar si anëtar i grupit famëkeq të krimit kibernetik “Qilin”, është arrestuar në Japoni dhe është transferuar në Gjermani, ku është marrë në paraburgim.

Sipas autoriteteve gjermane, i riu u arrestua në Tokio në maj, me ndihmën e policisë japoneze, ndërsa të premten u transferua në Gjermani. Ministri i Brendshëm i North Rhine-Westphalia, Herbert Reul, e cilësoi arrestimin si një “sukses historik” në luftën kundër grupit të hakerëve.

Reklamë

28-vjeçari kishte udhëtuar në Japoni për pushime. “Në vend të sushit, ai tani po ha sanduiçe me djathë në një burg gjerman”, tha me humor Reul.

Grupi “Qilin” dyshohet se që nga viti 2024 ka shantazhuar rreth 4 mijë kompani në mbarë botën, përfshirë rreth 150 në Gjermani. Kërkesat për shpërblim kanë arritur në afro 3 miliardë dollarë, ndërsa mbi 140 milionë dollarë dyshohet se janë paguar.

Reklamë

Ministri i Drejtësisë i North Rhine-Westphalia, Benjamin Liebach, tha se hetuesit gjermanë kishin punuar për muaj të tërë për identifikimin e të dyshuarit. Sipas tij, hetuesit u infiltruan në grup dhe gjurmuan aktivitetin e tij përmes të dhënave dixhitale.

Sipas mediave gjermane, i dyshuari quhet Vladimir K. dhe dyshohet se përdorte pseudonimin “Snake”.

Autoritetet gjermane falënderuan Japoninë për bashkëpunimin dhe transferimin e të dyshuarit, pavarësisht se dy vendet nuk kanë një traktat ekstradimi. Sipas ministrave, arrestimi është një tregues i bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit kibernetik.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.