Gazetari dhe analisti Ben Andoni thotë se publiku nuk kënaqet më vetëm me arrestime apo me hapjen e çështjeve ndaj figurave të njohura politike. Sipas tij, pritshmëria sot është që drejtësia të prodhojë rezultate konkrete, veçanërisht në evidentimin dhe rikthimin e pasurive të përfituara në mënyrë të padrejtë, ndërsa proceset që zgjasin me vite vetëm sa e thellojnë zhgënjimin.
“Gjëja që më bën përshtypje personalisht është që, me gjithë respektin e madh për SPAK-un që ka bërë, personalisht mendoj që ata janë shumë larg objektivave të cilët drejtuesit e tyre kanë treguar kur kanë marrë detyrën.
Është dyzet për qind e çështjeve që ata çojnë tek GJKKO, të cilat kthehen. Dhe ndërkohë ky institucion që është për korrupsionin dhe krimin e organizuar ka lënë krejt në hije prokuroritë tjera të rretheve, ku kundërvajtës, të korruptuar dhe të tjerë po vegjetojnë.
Publiku nuk lëbyret më nga historia e Zv. Kryeministres Balluku ose të zotit Ahmetaj. Njerëzit duan realisht që kjo lloj pasurie, e cila është vendosur në mënyrë të padrejtë, të evidentohet që është e padrejtë dhe të kthehet duke pasur impakt në publik.
Në qoftë se kjo nuk bëhet dhe në qoftë se këto çështje zgjasin pafundësisht, më besoni, jeta njerëzore nuk e ka luksin që të presi zgjatimet mendore të politikës, sepse zoti Rama edhe dy vjet e ka mandatin.
Ndoshta ai mund të synojë edhe një mandat tjetër, kurse jeta e njeriut të thjeshtë për çdo vit me privimet e veta zvogëlohet gati në progresion gjeometrik për arsyen e vetme, sepse brenda futet vështirësia ekonomike, vështirësia mentale dhe mungesa e shpresës.”
Lini një Përgjigje