TIRANË- Në Kuvend kalon sot për votim drafti i PS për hartën e re territoriale, që shkrin 15 bashki në të gjithë vendin. Opozita e ka kundërshtuar ashpër draftin e PS, duke thënë se po kalon në mënyrë të njëanshme dhe synon shpopullimin e Shqipërisë. PD ka thirrur demokratët në protestë, ndërsa në anën tjetër janë mbledhur edhe protestuesit e “Revolucionit Flamingo”.

Para nisjes së seancës, kryeministri Edi Rama mblodhi të tijtë në mbledhje grupi, ku mungoi Belinda Balluku. Deputeti Vullnet Sinaj mësohet se ka ndryshuar qëndrim dhe në mbledhje ka votuar pro. Tashmë pritet që të shihet edhe qëndrimi i Erion Braçes në seancë. Por, me votën pro të Sinajt dhe 3 votat e PSD-së së Tom Doshit, PS do t’i arrinte 84 votat për miratimin e reformës.

Veç këtyre zhvillimeve, rendi i ditës është mjaft i ngjeshur, me 4 interpelanca, një me kërkesë të PD për ministrin e Brendshëm lidhur me proporcionalitetin e reagimit të policisë ndaj protestuesve. Dy të tjera, një e kërkuar nga socialisti Ermal Pacaj dhe një nga kreu i grupit të PL, Tedi Blushi, i drejtojnë pyetje ministrit Enea Karakaçi për autostradën Milot-Balldre dhe TEC-et lundruese në Vlorë, ‘Tigri 1’ dhe ‘Tigri 3.’

Blushi ka kërkuar edhe një interpelancë me ministrin e Financave për uljen e çmimeve të produkteve bazë dhe mbrojtjen e fuqisë blerëse.

Në rend dite janë parashikuar edhe 8 projektligje të tjera veç ‘Territoriales’, si dhe 2 projektvendime, një prej tyre për ngritjen e një komisioni hetimor për ‘KAYO’.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:20
Reforma Territoriale, Vullnet Sinaj ndryshon qëndrim në mbledhjen e PS, votë pro

Ndonëse në mbledhjen e kaluar të grupit, Vullnet Sinaj kishte shprehur hapur rezerva kundër reformës territoriale, burime për gazetaren e Report Tv Raziela Myslimaj bëjnë me dije se ligjvënësi socialist ka ndryshuar qëndrim. Në mbledhjen e grupit ku ka qenë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, mësohet se Sinaj ka votuar pro draftit të SP që shkrin 15 bashki. Pritet të shihet se çfarë qëndrimi do të mbajë në senacë Erion Braçe, i cili është shprehur kundër. 

Ora 09:56
Territorialja në Kuvend/ Berisha: Do bëjmë gjithçka për të ndaluar miratimin, Rama presion të tijëve që ta votojnë! Protesta pa simbole partiake (VIDEO)

 

Pak para nisjes së seancës plenare, kreu i PD Sali Berisha tha se do të bëjnë gjithçka për të ndaluar miratimin e reformës territoriale. Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po i ushtron presion deputetëve të tij që të votojnë pro. Berisha foli edhe për protestën për të cilën tha se është e qytetarëve dhe se do jetë një protestë pa simbole partiake.

Sali Berisha: Opozita do të mbrojë deri në fund interesat e qytetarëve. Ne do të bëjmë çdo përpjekje që reforma të mos kalojë. Do t'u sqarojmë shqiptarëve se si shkelen interesat e tyre për karrigen e Ramës, se si Rama, para fundit të pushtetit, është i aftë të ndërmarrë çdo akt.

Asnjë votë, asnjë votë! Asnjë deputet i PD-së dhe i opozitës nuk e voton.

Ai i ka mbledhur aty dhe po u ushtron terror. I ka kapur me libër dhe regjistër shtëpie: ti ke marrë atë tender, ti këtë favor. Po i nënshtron, sepse po bëhet një proces kafkian.

Protesta është e qytetarëve. Ne i kemi thirrur demokratët, por aty ka demokratë, socialistë. Është protestë rinore, qytetare. Janë protestues të të gjitha bashkive dhe do të mbetet në kuadrin e protestës qytetare, pa simbole partiake. Do të jetë protestë e njerëzve që shohin se po shkelen në mënyrë kriminale interesat e tyre.

Ora 09:30
PS në kërkim të 84 votave për Territorialen, Grupi i PS mblidhet para nisjes së seancës! I pranishëm Rama, mungon Balluku

1784884573_grupiips.png

Grupi i PS është mbledhur para nisjes së seancës plenare, ku sot pritet të miratohet drafti i PS për reformën territoriale, që shkrin 15 bashki në të gjithë vendin. Në mbledhje ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, por mungoi ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku. 

Pritet të shihet se çfarë qëndrimi do të mbajnë dy deputetët socialistë, Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj. Të dy, në mbledhjen e kaluar të grupit shprehën votën kundër draftit, por pritet të shihet nëse kartonin e kuq do ta ngrenë edhe në seancë plenare. Për tu miratuar drafti i Territoriales, PS i duhen 84 vota. Vota e kundër e dy deputetëve socialistë do ta vinte në rrezik miratimin e reformës.

Ora 09:27
Protesta për ‘Territorialen’, Berisha: Rama ekzekuton sot 15 bashki! Bashkë përtej bindjeve politike

1791444110_saliberisha.jpg

Sali Berisha ka reaguar lidhur me reformën territoriale që sot është në fokusin e Kuvendit, duke përsëritur thirrjen për protestën para Kuvendit. Berisha kërkon që protestës t’i bashkohet kushdo, përtej bindjeve politike.

“Edi Rama sot ekzekuton 15 bashki për karrigen e tij! Ora 10:00, të gjithë bashkë në protestë para Parlamentit! Përtej çdo bindjeje politike, t'i dalim zot interesit qytetar!”, thotë kreu i PD.

Ora 09:25
Territorialja sot në Kuvend, Blushi: Të ndalet miratimi i njëanshëm i projektit për shpopullimin e Shqipërisë

1791368641_tediblushi.JPG

Ndërsa në Kuvend sot pritet miratimi i reformës territoriale, deputeti i PL, Tedi Blushi bën thirrjet që të ndalohet miratimi i projektit që sipas tij synon shpopullimin e Shqipërisë.

“Seanca e sotme plenare ka vetëm një rend dite: Të ndalet miratimi i njëanshëm i projektit për shpopullimin dhe zhbërjen e Shqipërisë. Çdo përpjekje tinzare për të imponuar “normalitet punimesh” në një Kuvend të rrethuar me blinda dhe narkopolicë dhe të marrë peng nga mafia duhet përbuzur me neveri.

Sot, çdo deputet që e quan veten shqiptar dhe jo shqip-folës ka vetëm një axhendë: Të mos bëhet pjesë e asnjë farse, të mos votojë shpopullimin e Shqipërisë, të përfaqësojë çdo shqiptar të ngritur në revoltë dhe të jetë në lartësinë e përgjegjësisë politike dhe kombëtare që kërkon koha.

Sot është një ditë historike ku do të mbahet shënim çdo qëndrim dhe çdo votë. Çdo deputet do të përballet me emrin që shqiptarët dhe historia do t’i japë zgjedhjes së tij: Patriot ose Tradhtar”, shkruan Blushi.

Ora 09:19
‘Territorialja’, deputetja Bylykbashi: Nuk ndryshon identitetet, përmirëson jetën e qytetarëve! Më shumë mundësi e kapacitete (VIDEO)

 

Ndryshe nga qëndrimi i opozitës lidhur me shkrirjen e 15 bashkive pasi do të cenojë identitetin dhe shërbimet ndaj qytetarëve, socialistët vijojnë me argumentin se reforma territoriale do të jetë në dobi të qytetarëve.

Deputetja e PS në Elbasan, Aulona Bylykbashi ka ndarë një video në rrjetet sociale ku shprehet se identitetet jetojnë në njerëz ndërsa bashkitë më të mëdha ofrojnë më shumë mundësi e kapacitete.

“Nëse nesër do të ndryshojnë kufijtë e bashkisë suaj, a do të ndryshonte kjo kush jeni? Identitetet nuk jetojnë në harta, ato jetojnë në njerëz. Qytetet nuk ndahen nga vija, lidhen nga rrugët, nga puna, nga shkolla, nga familjet. Një bashki më e madhe nuk do të thotë më pak identitet, do të thotë më shumë mundësi. Kur bashkohen kapacitetet, nuk humbet askush sepse historia nuk njeh kufij administrativë, ajo njeh njerëz. Reforma territoriale nuk do të ndryshojë identitetet. Ajo synon të përmirësojnë ndjeshëm jetën e qytetarëve”, thotë Bylykbashi.

Ora 08:21
‘Mos voto reformën territoriale’, Partia e Lirisë: Sot duhet t’i themi ndal shpopullimit të Shqipërisë, jemi krah qytetarëve

Vetëm pas pak orësh Kuvendi do të votohet për hartën e re territoriale dhe nga opozita ka ardhur thirrja e parë për ditën e sotme për ndalimin e saj. Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka shpërndarë një postim në rrjetet sociale ku shkruan ‘Mos voto reformën territoriale’ dhe bën thirrje se duhet të ndalet projekti i Ramës për shpopullimin e Shqipërisë.

Ajo shkruan se reduktimi i numrit të bashkive do të centralizojë pushtetin dhe do të largojë shërbimet e qytetarëve. Xhixho shprehet se do të jenë krah këtyre të fundit dhe s’do të lejojnë që Shqipëria të trajtohet si “plaçkë elektorale.”

Reagimi i plotë:

Sot duhet t'i themi NDAL projektit të Edi Ramës dhe qeverisë së tij për shpopullimin e Shqipërisë!

Reforma e re territoriale nuk është një reformë për qytetarët. Është një skemë politike që synon të përqendrojë më tej pushtetin dhe të krijojë avantazhe elektorale.

Reduktimi i numrit të bashkive do të largojë shërbimet nga qytetarët, duke lënë zona të tëra në funksion të planeve të qeverisë dhe klientëve të saj.

Kjo ndarje territoriale bie ndesh me Kushtetutën dhe Kartën Europiane për Vetëqeverisjen Lokale. Mbi të gjitha, ajo përplaset me vullnetin e komuniteteve të 15 bashkive që refuzojnë shkrirjen.

Ne do të jemi në krah të qytetarëve. Do të jemi zëri i tyre përballë një pushteti që po vendos interesin e vet politik dhe interesat e klientëve mbi interesin e qytetarëve.

Shqipëria nuk mund të trajtohet si plaçkë elektorale!