Putin mbushi 74 vjeç/ Nga “miku më i dashur” i Kim Jong Un te “dhurata” e Kievit: Një vend në Hagë

8 Tetor 2026, 08:31Bota TEMA
Putin mbushi 74 vjeç/ Nga “miku më i dashur” i Kim Jong

Presidenti rus Vladimir Putin ka mbushur dje 74 vjeç, por mesazhet që ka marrë për ditëlindje kanë qenë diametralisht të kundërta: nga urimet e ngrohta të aleatëve të Moskës, te mesazhet ironike dhe akuzat e ashpra që kanë ardhur nga Ukraina.

Ndër të parët që e uroi ishte lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, i cili iu drejtua Putinit si “miku im më i dashur” dhe rikonfirmoi mbështetjen e Phenianit për Moskën.

Në mesazhin e publikuar nga media shtetërore koreano-veriore, Kim vlerësoi drejtimin e Putinit dhe deklaroi se Rusia do të arrijë “fitore dhe lavdi”, duke e cilësuar luftën e Moskës si “të drejtë dhe të shenjtë”. Ai premtoi gjithashtu thellimin e partneritetit strategjik mes Koresë së Veriut dhe Rusisë.

Por një “urim” krejt tjetër mbërriti nga Kievi.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, deklaroi se “dhurata” përfundimtare për Putinin duhet të jetë përballja me drejtësinë në Hagë.

“Dhurata e tij përfundimtare do të jetë një vend në bankën e të akuzuarve në Hagë”, deklaroi Sybiha, duke shtuar se Ukraina po punon që Tribunali Special për krimin e agresionit kundër Ukrainës të kalojë në fazën praktike vitin e ardhshëm.

Kryediplomati ukrainas ironizoi gjithashtu sulmet e reja ruse të zhvilluara pikërisht në ditëlindjen e Putinit, duke deklaruar se gjeneralët rusë i kishin sjellë presidentit “dhuratën e tij të preferuar: krimet e luftës”.

Edhe presidenti Volodymyr Zelensky e lidhi ofensivën e fundit ruse me 74-vjetorin e Putinit. Sulmet me raketa dhe dronë goditën disa rajone të Ukrainës, përfshirë një ndërtesë banimi në Pryluky, ndërsa autoritetet ukrainase raportuan viktima dhe dhjetëra të plagosur. Zelensky e cilësoi shkatërrimin e ndërtesës si një “dhuratë ditëlindjeje” për presidentin rus.

Shtabi i Përgjithshëm ukrainas ka përdorur gjithashtu përvjetorin për të rikujtuar bilancin e tij të humbjeve ruse në luftë, shifra që Moska nuk i konfirmon dhe që nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Lini një Përgjigje