Sot Territorialja në Kuvend, opozita protestë, mazhorancës i duhen 84 vota

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ku në qendër të diskutimeve do të jetë harta e re administrativo-territoriale, që parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46. Projektligji, i kundërshtuar nga opozita, është pika e shtatë e rendit të ditës dhe për miratimin e tij kërkohen 84 vota.
Reforma parashikon shkrirjen e 15 bashkive dhe bashkimin e tyre me njësi më të mëdha fqinje. Drafti ka marrë miratimin e Komisionit të Ligjeve, ndërsa në variantin e shqyrtuar janë parashikuar edhe ndryshime në statusin e disa zonave, duke e çuar numrin e qyteteve në 77.
Votimi pritet të zhvillohet mes kundërshtimeve të opozitës dhe protestave të paralajmëruara jashtë Kuvendit. Brenda mazhorancës, çështja është bërë e ndjeshme për shkak të qëndrimit kundër të deputetëve socialistë Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj, duke e bërë sigurimin e 84 votave një nga pikat kryesore të seancës.
Përveç reformës territoriale, seanca e sotme ka një rend dite të ngjeshur, me katër interpelanca. Njëra prej tyre është kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike dhe i drejtohet ministrit të Brendshëm, Ervin Demo, lidhur me proporcionalitetin e reagimit të Policisë ndaj protestuesve.
Axhenda e plotë:
I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 8.10.2026, ora 10:00.
II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:
- Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 5.10.2026.
- Njoftime.
- Interpelancë urgjente me Ministrin e Punëve të Brendshme, z. Ervin Demo, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
- Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Ermal Pacaj.
- Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Tedi Blushi.
- Interpelancë me Ministrin e Financave, z. Petrit Malaj, kërkuar nga deputeti Tedi Blushi.
- Projektligji “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”
- Projektligji “Për ratifikimin e konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, bërë në Luksemburg, më 13 maj 2025”.
- Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar”.
- Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9662, datë 18.12.2006, “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”
- Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 133/2013, “Për sistemin e pagesave”.
- Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar”.
- Projektligji “Për treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale”. 14. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 52/2025, “Për markat tregtare”.
- Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 53/2025, “Për patentat, modelet e përdorimit dhe certifikatat e mbrojtjes shtesë”
- Projektvendim “Për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit, “Për kontrollin e ligjshmërisë të veprimtarisë së shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a., në drejtim të marrëveshjeve të bashkëpunimit, prodhimit, importit, eksportit dhe tregtimit të armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake”.
- Projektvendim “Për disa ndryshime në vendimin nr. 87/2026, “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit'””. 18. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.
IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.




