‘Mrekullia’ e Deco-s, Barcelona ndërton një skuadër të fortë pa shpenzime të mëdha

‘Mrekullia’ e Deco-s, Barcelona ndërton një skuadër të fortë pa shpenzime të mëdha

08:42, 08/10/2026

Barcelona po përjeton një nga periudhat e saj më të mira të viteve të fundit. Me një skuadër të re në moshë, një yll në shpërthim si Lamine Yamal dhe një ekip që funksionon në nivele shumë të larta nën drejtimin e Hansi Flick, pritshmëritë në “Camp Nou” janë rritur ndjeshëm.

Meritat kryesore i atribuohen trajnerit gjerman, por pas këtij suksesi qëndron edhe puna e drejtorit sportiv Deco. Portugezi ka arritur të vendosë më shumë rregull në financat e klubit, të kontrollojë pagat dhe, mbi të gjitha, të ndërtojë një skuadër të thellë dhe konkurruese pa bërë investime të çmendura në merkato.

Strategjia e Decos ka qenë e qartë: të blejë pak, por mirë, duke i dhënë një rol të rëndësishëm edhe akademisë së klubit. Shfrytëzimi i talenteve të La Masias i ka mundësuar Barcelonës të plotësojë shumë pozicione pa pasur nevojë për shpenzime të mëdha.

Rezultatet flasin vetë. Në tri sezonet e para me Deco-s në drejtimin sportiv, Barcelona ka fituar dy tituj të La Liga-s, dy Superkupa të Spanjës dhe një Kupë të Mbretit. Ndërkohë, afrimet si Gordon dhe Adeyemi janë shembuj të strategjisë për të gjetur futbollistë që mund t'i shërbejnë ekipit pa kosto të ekzagjeruara.

Një tjetër meritë e Deco-s është menaxhimi i largimeve. Dembélé, Lewandowski dhe Ferran Torres kanë mbyllur ciklin e tyre te Barcelona, pa krijuar një krizë sportive apo emocionale brenda klubit. Mesazhi është i qartë: asnjë futbollist nuk është i paprekshëm.

Por shifrat e merkatos janë ato që e bëjnë më të veçantë punën e tij. Barcelona ka shpenzuar rreth 289.5 milionë euro për 20 afrime, ndërsa ka arkëtuar 318 milionë euro nga 31 shitje, duke regjistruar një bilanc pozitiv prej 28.5 milionë eurosh.

Krahasimi me klubet e tjera të mëdha europiane e nxjerr edhe më në pah këtë arritje. Në të njëjtën periudhë, Atlético Madrid ka një bilanc negativ prej rreth 175 milionë eurosh, ndërsa Real Madridi prej 408.5 milionë eurosh.

Në Premier League diferencat janë edhe më të mëdha: Arsenali ka një bilanc negativ prej 569 milionë eurosh, Manchester City 618 milionë dhe Liverpool 635 milionë.

Kështu, “mrekullia” e Deco-s nuk qëndron vetëm te emrat e sjellë në Barcelonë, por te mënyra se si klubi ka arritur të ndërtojë një skuadër të fortë, të thellë dhe konkurruese, duke ruajtur njëkohësisht kontrollin mbi financat.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco