Protesta e opozitës për Territorialen, 1500 forca policore në gatishmëri para parlamentit

Kuvendi zhvillon sot seancën plenare, ku në fokus pritet të jetë harta e re territoriale me 46 bashki, 15 më pak se ndarja aktuale. Projektligji, i kundërshtuar nga opozita, pritet të shoqërohet me debate dhe përplasje politike mes mazhorancës dhe demokratëve.
Në seancën e sotme janë parashikuar gjithashtu katër interpelanca, ndërsa kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar protesta kundër miratimit të hartës së re territoriale. Kundërshtimet pritet të nisin brenda sallës së Kuvendit dhe më pas të zhvendosen jashtë tij.
Policia e Shtetit ka marrë masa të shtuara për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë protestës. Në gatishmëri janë vendosur forca nga komisariatet e Tiranës, forcat e rendit dhe strukturat speciale, në bashkëpunim me repartin RENEA, në rast të përshkallëzimit të situatës.
Perimetri i sigurisë do të jetë i ngjashëm me atë të protestave të zhvilluara gjatë seancave plenare të javëve të fundit. Ai shtrihet nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit, pranë Urës së Tabakëve dhe “Ushtarit të Panjohur”, deri te zona e Ministrisë së Brendshme dhe hyrjet e pedonales.
Në total, rreth 1500 forca policore janë vendosur në gatishmëri për mbarëvajtjen e protestës, ndërsa pritet një ditë e ngarkuar si brenda Kuvendit, ashtu edhe në rrugët përreth tij.
/vizionplus.tv




