Reagon ashpër avokatja Xhoi Nela: Çekiçi i gjyqtarit nuk qëndron mbi Kushtetutën, çmimin e paguajnë qytetarët

REAGON ASHPËR AVOKATJA XHOI NELA:
AVOKATI ËSHTË GARANC KUSHTETUESE.
ÇEKIÇI I GJYQTARIT NUK QËNDRON MBI KUSHTETUTËN. ÇMIMIN E RREGULLORES SË GJKKO-S E PAGUAJN QYTETARET!

Kujt po i shërben rregullorja e re e GJKKO-së?

Autoriteti i një gjykate buron nga aftësia për të garantuar drejtësi, për të respektuar të drejtat dhe për ta ushtruar pushtetin brenda kufijve të ligjit. Kur një rregullore administrative prodhon përplasje të vazhdueshme me avokatinë, seanca të pazhvilluara dhe masa ndëshkuese ndaj mbrojtësve, pyetja është e pashmangshme, kujt po i shërben ajo?!

Swiss Digital Desktop Reklama

Avokati është garanci kushtetuese sepse përmes tij bëhet efektive e drejta e qytetarit për mbrojtje. Neni 31 i Kushtetutës garanton kohën dhe lehtësitë e nevojshme për përgatitjen e mbrojtjes, ndihmën e mbrojtësit të zgjedhur dhe komunikimin e lirë e privat me të. Neni 42 garanton procesin e rregullt ligjor. Këto garanci përcaktojnë kufijtë brenda të cilëve duhet të veprojë edhe administrimi i gjykatës. Një rregullore e brendshme duhet të ju shërbejë atyre. Prandaj, kundërshtimi i kufizimeve që cenojnë punën e AVOKATIT është çështje e mbrojtjes së qytetarit përballë pushtetit shtetëror. Sa herë dobësohen kushtet e ushtrimit të mbrojtjes, dobësohet vetë drejtësia.

Swiss Digital Mobile Reklama

📞Telefoni celular, në ushtrimin bashkëkohor të avokatisë, është mjet pune pasi përmban dokumente, komunikime profesionale, njoftime dhe mundësi të menjëhershme koordinimi. Marrëdhënia avokat–klient kërkon vazhdimësi, përgjegjësi dhe reagim në kohë. Ajo nuk pushon në çastin kur avokati hyn në ndërtesën e një gjykate.

Në përvojën e përditshme timen si Avokate dhe të kolegëve të mi, seancat shpesh zgjasin tri orë ( duke pasur parasyshë llojin e veprave penale që gjykon kjo Gjykatë), pritja gjatë këshillimit të trupit gjykues mund të zgjasë edhe tri orë të tjera. Gjatë kësaj kohe mund të ndalohet një klient tjetër, të lindë nevoja për ndihmë të menjëhershme juridike ose të mbërrijë një njoftim që kërkon veprim urgjent. Për qytetarin e ndaluar, avokati i zgjedhur mund të jetë kontakti i vetëm i besuar që mund të aktivizojë pa vonesë mbrojtjen e tij. Ti heqësh avokatit këtë mundësi komunikimi për orë të tëra do të thotë të cenosh aftësinë e tij për tu përgjigjur detyrimeve profesionale. Disponueshmëria për urgjencat dhe për klientët e tjerë kërkon organizim që respekton edhe seancën në zhvillim. Por një ndalim i përgjithshëm, pa alternativa funksionale, e bën këtë përgjegjësi të pamundur për tu përmbushur.

👨‍⚖️Siguria dhe solemniteti i gjykimit janë qëllime legjitime. Pikërisht për këtë arsye duhen masa të arsyetuara, si psh: telefoni në heshtje, ndalimi i regjistrimeve të paautorizuara, përdorimi profesional dhe mundësia e komunikimit urgjent gjatë pushimeve apo pritjes. Çdo kufizim duhet të shpjegojë rrezikun konkret që shmang dhe arsyen përse një masë më pak kufizuese nuk mjafton. Këtu qëndron edhe përgjegjësia e drejtimit të GJKKO-së dhe e kryetarit të saj, të ndërtojë një zgjidhje institucionale për një konflikt që prek funksionimin e drejtësisë. Përse dialogu ende nuk është parë si zgjidhje? Përse ruajtja e pandryshuar e një rregulloreje po merr përparësi ndaj pasojave të saj mbi gjykimin?

Ngurtësia administrative, kur vazhdon pavarësisht kostove të dukshme, krijon përshtypjen e një pushteti që e konsideron rishikimin e vendimeve të veta si humbje autoriteti. Kjo është një mënyrë e rrezikshme për ta kuptuar funksionin publik. Institucioni fiton besueshmëri kur dëgjon, arsyeton dhe korrigjon.

👩‍💼👨‍💼Kujt po i shërbejnë gjobat e njëpasnjëshme ndaj avokatëve?

💸💶Gjobat e dokumentuara tregojnë se përplasja tashmë ka marrë pasoja të drejtpërdrejta financiare për mbrojtësit. Nëse ndëshkimi përsëritet ndërsa shkaku institucional mbetet i pazgjidhur, ai rrezikon të shndërrohet në presion mbi një profesion që duhet ta ushtrojë mbrojtjen në mënyrë të pavarur. Çekani gjyqësor simbolizon përgjegjësinë për të dhënë drejtësi. Mbajtja e tij në dorë e shton detyrimin për vetëpërmbajtje, arsyetim dhe respekt.

Mirënjohje meritojnë ata gjyqtarë që, ndonëse në pakicë, kanë vlerësuar pengesat ligjore të mbrojtjes dhe nuk kanë aplikuar gjoba ndaj avokatëve. Në një klimë përshkallëzimi, ata kanë ruajtur masën, pavarësinë e gjykimit dhe respektin për dinjitetin njerëzor. Këta janë gjyqtarët që meritojmë, ata që i japin peshë fjalës së ligjit dhe nder titullit që mbajnë.

Çështja bëhet edhe më e rëndë kur pasojat bien mbi lirinë e qytetarit. Rasti i Ilir Metës, sipas deklarimit të tij publik, ngre shqetësimin për pezullimin e afateve të paraburgimit ndërkohë që ai është paraqitur në seanca dhe ka kërkuar vijimin e gjykimit. Përse qytetari duhet të mbaj koston e një konflikti institucional që nuk e ka krijuar?

Ligji parashikon raste të pezullimit të afateve të paraburgimit, zbatimi i tyre kërkon bazë ligjore dhe arsyetim konkret. Prania e të pandehurit dhe vullneti për vazhdimin e procesit janë rrethana që duhen shqyrtuar me seriozitet. Neni 5 i KEDNJ-së garanton gjykimin brenda një afati të arsyeshëm ose lirimin në pritje të gjykimit, si dhe kontrollin e shpejtë gjyqësor të ligjshmërisë së ndalimit. Neni 6 garanton procesin e drejtë dhe ndihmën juridike për mbrojtjen. Pezullimi i llogaritjes së një afati nuk e pezullon jetën e njeriut në paraburgim. Ditët vazhdojnë të kalojnë. Liria e humbur gjatë tyre nuk rikthehet përmes një zgjidhjeje të vonuar administrative!

Ndërkohë, orientimi institucional për forcimin e avokatisë është shprehur qartë. Më 6 tetor 2026, gjatë paraqitjes në Komisionin e Ligjeve të Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, në kuadër të ratifikimit të saj, ministri i Drejtësisë Toni Gogu e vendosi theksin te avokati i pavarur si garanci për mbrojtjen efektive të qytetarit përballë shtetit.

Edhe projektligji për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, në versionin e paraqitur, synon forcimin e mbrojtjes, akses në prova, ndërhyrje të mbrojtësit gjatë marrjes në pyetje dhe mundësi për veprimtari hetimore në favor të klientit. Si projektligj, ai ende nuk përbën ligj në fuqi. Por fryma e tij është e qartë, mbrojtësi duhet të ketë mjete reale për të ushtruar rolin e tij. Është e vështirë të pajtosh këtë orientim me praktika administrative që ia ngushtojnë dhe cënojnë kushtet e punës.

🇪🇺Konventa e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit e lidh mbrojtjen e profesionit me shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut. Ajo parashikon pavarësinë, mbrojtjen nga ndërhyrjet e papërshtatshme dhe konsultimin efektiv të organizatave profesionale për ndryshimet që prekin avokatinë.

Në të njëjtën frymë duhet lexuar mbështetja e OSBE-së. Në takimin e ambasadorit Michel Tarran me kryetarin e Dhomës së Avokatisë, Maksim Haxhia, u diskutuan roli i avokatisë në forcimin e shtetit të së drejtës, aksesi në drejtësi, standardet e procesit të rregullt dhe sfidat e profesionit. Mbështetja e shprehur për një sistem drejtësie të përgjegjshëm e efektiv, në bashkëpunim edhe me Dhomën e Avokatisë, e përforcon nevojën për dialog institucional.

Situata është e patolerueshme dhe kërkon reagim të shpejtë. Këshilli i Lartë Gjyqësor, drejtimi i GJKKO-së dhe Ministria e Drejtësisë, secili brenda kompetencave të veta, duhet të krijojnë një tryezë me afate konkrete për rishikimin e dispozitave të kontestuara dhe rikthimin e funksionimit normal të proceseve. Inspektori i Lartë i Drejtësisë duhet të vlerësojë çdo shkelje sipas procedurave ligjore dhe të reagoj me autoritetin që i buron nga ligji.

Pavarësia e gjykatës dhe pavarësia e avokatit janë garanci që duhet të funksionojnë së bashku. Konflikti i zgjatur mes tyre po dëmton qytetarët, profesionistët dhe besimin publik te drejtësia. Këmbëngulja në ndëshkim (gjobë) pa zgjidhur këtë situatë, po rrezikon ta shndërrojë autoritetin gjyqësor në instrument presioni ndaj mbrojtjes!

Avokati është garanci kushtetuese. Respektimi i tij është respektim i së drejtës së qytetarit për mbrojtje. Një drejtësi që kërkon besimin e publikut duhet ta dëshmojë këtë në çdo rregull, çdo seancë dhe çdo vendim.

Drejtësia nuk matet me numrin e gjobave të GJKKO-s, por me aftësinë për të mbrojtur të drejtat, për të dëgjuar zërin e mbrojtjes dhe për të korrigjuar çdo qasje që dëmton qytetarin. Çekani i gjyqtarit duhet të jetë simbol i ligjit, jo mjet presioni, ndërsa avokati duhet të trajtohet si bashkëgarant i drejtësisë, jo si kundërshtar i saj.

Konflikti për rregulloren e GJKKO-s kërkon dialog institucional dhe zgjidhje të menjëhershme!

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?