Vdes 87-vjeçarja që u bë simbol i protestave kundër krizës së strehimit në Spanjë

Maria del Carmen Abascal, 87 vjeç, e njohur në të gjithë Spanjën si “Maricarmen”, ka ndërruar jetë pasi u bë një prej simboleve të protestave kundër krizës së strehimit në vend.
Lajmi u bë i ditur nga Shoqata e Qiramarrësve të Madridit. Maricarmen kishte jetuar për rreth 70 vjet në të njëjtën banesë në lagjen Retiro të Madridit, përpara se të përballej me dëbimin pas një rritjeje drastike të qirasë.
Kompania private e investimeve që zotëronte ndërtesën kishte rritur qiranë mujore nga 500 euro në 2,650 euro, një shumë që 87-vjeçarja nuk mund ta përballonte.
Më 23 shtator, ajo u nxor nga banesa me barelë dhe u dërgua në spital. Dëbimi shkaktoi reagim të gjerë publik dhe protesta në Madrid e qytete të tjera të Spanjës. Qindra protestues u mblodhën edhe në Puerta del Sol, ndërsa një pjesë e tyre ngritën një kamp proteste.
Pas presionit publik, pronari i banesës u tërhoq dhe ra dakord që Maricarmen të rikthehej në apartament pasi të dilte nga spitali. Megjithatë, Shoqata e Qiramarrësve të Madridit tha se marrëveshja erdhi shumë vonë.
“Me dhimbje njoftojmë se Maricarmen ndërroi jetë sot. Siç e dini të gjithë, ajo u dëbua më 23 shtator dhe që atëherë ishte e shtruar në spital”, thuhej në deklaratën e shoqatës.
Nga spitali, Maricarmen u kishte dërguar një mesazh protestuesve: “Ju lutem, vazhdoni të luftoni”. Ajo i falënderoi për mbështetjen dhe u dërgoi një përqafim.
Pas lajmit për vdekjen e saj, protestuesit në Madrid ndezën qirinj dhe mbajtën një minutë heshtje. Më pas u dëgjuan thirrje si: “Maricarmen jeton, lufta vazhdon” dhe “Të gjithë jemi Maricarmen”. Disa protestues brohoritën edhe: “Nuk është vdekje, është vrasje”.
Edhe kryeministri spanjoll Pedro Sanchez shprehu ngushëllimet e tij përmes një mesazhi në rrjetin X.
Sipas Shoqatës së Qiramarrësve të Madridit, rreth 950 mijë persona morën pjesë në protestat e zhvilluara në të gjithë Spanjën gjatë fundjavës së kaluar, duke kërkuar masa për përballimin e krizës së strehimit dhe kontrollin e rritjes së qirave.
Kriza e strehimit është kthyer në një prej çështjeve kryesore politike në Spanjë. Sanchez ka kërkuar zgjedhje të parakohshme pas dështimit të qeverisë për të siguruar mbështetjen parlamentare për dy ligje që synonin adresimin e krizës.
Analistët politikë vlerësojnë se strehimi pritet të jetë një nga temat kryesore të fushatës së Sanchez në përpjekje për të siguruar mbështetje më të gjerë.
Ndërkohë, Partia Popullore (PP), forca kryesore opozitare dhe kundërshtare e këtyre nismave, argumenton se zgjidhja e krizës qëndron te ndërtimi i më shumë banesave dhe jo te shtimi i rregullave mbi tregun e qirave.




