Të kapërcesh urën (II)

8 Tetor 2026, 16:39Kulturë Ardian Vehbiu

Loja moderne e bridge-it u formalizua në vitet 1920, në të njëjtën kohë me zgjerimin e tregjeve financiare, intensifikimin e spekulimit monetar dhe rritjen e kapitalizmit menaxherial; dhe loja pati sukses të madh në SHBA, në Britaninë e Madhe dhe në Francë, mes shtresave të profesionistëve, dhe menaxherëve të elitave financiare. Brigde-i të kërkon të ushtrosh vlerësimin e rrezikut, arsyetimin probabilitar, sinjalizimin strategjik, bashkërendimin me një partner dhe këmbimet kompetitive por të rregulluara, të cilat ndeshen edhe tregjet financiare, sistemet e së drejtës kontraktuale dhe strukturat administrative korporative.

Ndryshe nga lojërat e tjera me letra, prej të cilave rrjedh, contract bridge – si lojë probabilistike e menaxhimit të riskut – kërkon familjarizim me konvencionet, disiplinë afatgjatë dhe marrëveshje sistematike paraprake mes partnerëve. Deri-diku, kjo lojë “i përshtatet” kulturalisht shoqërisë kapitaliste moderne.

Çfarë dua të nxjerr në pah këtu është se ne po përpiqeshim, në vitet 1970, të mësonim të luanim një lojë – ose, në thelb, të përvetësonim një model ndërveprimi social – që nuk i përgjigjej ndonjë strukture a modeli social në shoqërinë ku jetonim; e cila nuk mbështetej në tregun e lirë kapitalist, iniciativën ekonomike private dhe sistemin financiar modern. Shqipëria e asaj kohe ndiqte modele të tjera, të cilave mbase do t’u përshtateshin lojëra të bazuara në luftën (shahu) ose “kapjen” e pasurisë; ose në blofin (pokeri).

Kultura zyrtare, gjatë viteve të regjimit, i vështronte lojërat me letra si portëkalim drejt bixhozit, për ç’arsye edhe nuk gjeje dot letra bixhozi në qarkullim. Përndryshe, bixhozi ishte i ndaluar edhe me ligj, dhe bixhozçinjtë ndonjëherë i internonin, duke i trajtuar njëlloj si prostitutat dhe vagabondët (të pastrehët). Edhe pse çdo lojë mund të shndërrohet në bixhoz – përfshi edhe shahun – lojërat me letra janë më të përshtatshme për këtë, ngaqë atje luan rol edhe fati; ndryshe nga shahu ose dama, ku fiton zakonisht më i zoti.

Kur patëm filluar të luanim bridge, shumë kujtonin se bridge-i ishte edhe ai “lojë me lekë” dhe na gjykonin, herë me qortim herë me admirim. Ka pasur gjithnjë njerëz në Tiranë, dhe me siguri ka edhe sot, që nuk mund ta përfytyrojnë dot lojën, çfarëdo loje, pa i vënë diçka “përsipër” – përndryshe ç’do t’ia vlente? Në verë, në lagjen time tiranase të populluar kryesisht me vendalinj dhe të ardhur nga fshatrat përreth, kërcitnin me orë zaret e tavllës, në çdo bahçe; mbaj mend që nëna ime ulte zërin dhe më thoshte: “luajnë me pare”; dhe do të ketë pasur të drejtë, se ndonjëherë lojtarët fillonin të ziheshin edhe më rëndë se Agamemnoni me Akilin, në Iliadë; madje edhe kur ishin vëllezër.

Regjimi, përkundrazi, inkurajonte shahun – si lojë e pastër, e ndershme dhe më e përshtatshme për moralin socialist; sidomos ngaqë fati atje nuk luante asnjë rol, për të prishur barazinë në pikënisje. Ne që luanim shah i shihnim ata të tjerët, të tavllës dhe të letrave, nga lart poshtë; edhe pse në disa rrethana, si në plazh, përfshiheshim me qejf të madh në pesëkatësh ose në xing, sidomos kur kish edhe ndonjë vajzë rrotull.

Por asnjë nga këto lojëra nuk krahasohej me bridge-in, për nga kompleksiteti i ndërveprimit mes lojtarëve. E veçanta e kësaj loje ishte se, për ta luajtur mirë, duhej jo vetëm aftësia për të deklaruar mirë, qartë dhe shpejt, duke marrë parasysh edhe deklaratat e tre lojtarëve të tjerë; por edhe një instinkt probabiliteti, që bazohej sa në letrat e luajtura dhe në ato që kish hapur “i vdekuri” në tryezë, aq edhe në çfarë kishin deklaruar të tjerët dhe në çfarë kishin luajtur tashmë të tjerët. Çdo letër e luajtur merrte kuptim jo në vetvete, por në raport me gjithçka që kish ndodhur në lojë deri atëherë, përfshi edhe deklarimin. Ndryshe nga shahu, ku një vrojtues mund ta lexojë dhe ta kuptojë lojën pa pasur nevojë të dijë se ç’është luajtur më parë, në bridge as vrojtuesit dhe as lojtarët vetë nuk mund të kuptojnë mirë se çfarë po ndodh dhe as t’i “kolapsojnë” probabilitetet. Dinamika e të luajturit varet jo nga çfarë njihet, por nga çfarë nuk njihet. Ka momente, gjatë lojës, kur ti duhet të dish se cili nga dy kundërshtarët e ka – bie fjala – çupën kupë; dhe nga ky informacion varet fati i lojës; gjithsesi, shpesh do të duhet të vendosësh në bazë të probabiliteteve.

Jeta që bënim nuk na ekspozonte ndaj situatave tipike a të ngjashme me ato të bridge-it; veçanërisht, asgjë nuk na kish përgatitur për mundësinë që çmimi i diçkaje – përkatësisht vlera në lek – mund të ishte variabël dhe rezultonte nga një marrëveshje mes kujt donte ta blente dhe kujt donte ta shiste. Në tregun “socialist”, pa aktorë privatë të lirë për t’i vendosur dhe lëvizur çmimet sipas dëshirës, çmimi i një malli ishte i ngjashëm me emrin; dhe përcaktohej nëpërmjet një akti të ngjashëm me regjistrimin e emrit në gjendjen civile – formalizimit burokratik. Ndoshta prindërit tanë ende i kishin ruajtur kujtimet dhe reflekset e “pazarit”, ku blerësi mund ta negocionte çmimin e një malli me shitësin; ose “të bënte pazar”, duke ofruar a propozuar sa mund të paguante – siç ndodhte me deklarimin në bridge; por kjo praktikë tashmë i përkiste historisë së tregut me pakicë. Etika socialiste në fakt i dënonte këto lloj negocimesh si “pazarllëqe”; këtë fjalë, pazarllëk, Fjalori i 1980-ës e shpjegonte si “Bisedë që bëjnë blerësi dhe shitësi, duke dhënë e duke marrë njëri me tjetrin, për të rënë në ujdi për çmimin e mallit; marrëveshja që arrijnë ata për çmimin e mallit; pazar. Bëri pazarllëk me fshatarin. Hyri në pazarllëk me të” por këtë lloj bisede nuk mund ta zhvilloje në një dyqan të shtetit, ku çmimi ishte gjithnjë i fiksuar me listë. Kuptimi figurativ i kësaj pazarllëk, tek i njëjti fjalor, është “Marrëveshje e ulët, jo e ndershme që bëjnë dy a me shumë njerëz, palë, shtete etj. për interesa të ngushta në dëm të dikujt; lëshim i padrejtë që i bëhet dikujt. Pazarllëk i turpshëm. Pazarllëk politik. Rruga e pazarllëqeve diplomatike. Ne s’bëjmë kurrë pazarllëk me parimet. Hynë në pazarllëqe” dhe, me këtë kuptim, fjala përdoresh shpesh në zhargonin publicistik. Paralelisht, angazhimi i një qytetari me veprimtari të shitblerjes, për mallra dhe shërbime, jashtë tregtisë me pakicë të sanksionuar nga shteti, shihej shtrembër; në thelb, vetëm shteti mund të shiste një produkt dhe akti i blerjes, nga qytetari, duhej të konsumohej në një hapësirë të “konsakruar” si dyqani (dhe arka, etj.).

Bridge-i të vinte, kësisoj, në rolin e tregtarit, sa kohë që ti e sugjeroje çmimin e kontratës në bazë të letrës që kishe në dorë, ose kapitalit në dispozicion. Vërtet, kapitali shpërndahej mes katër lojtarëve në mënyrë aleatore, të randomizuar; por ky randomizim fillestar mund të zbutej, nga vetë mekanizmi i ortakërisë – gjasat që dy lojtarë të kishin të dy letra të këqija ishin relativisht të ulëta; dhe gjithsesi shumë më të ulëta se po të bëhej fjalë për një lojtar të vetëm. Veç kësaj, “kapitali” i mjaftueshëm nuk mjaftonte, sepse duhet edhe të dije ta përdorje, në bashkëpunim me ortakun dhe duke zbatuar rregullat e formulimit të deklaratave. Bridge-i shërbente kështu edhe si shkollë për përdorimin e kapitalit a, në përgjithësi, të parasë – diçka për të cilën ne as që e kishim idenë; siç nuk e kuptonim menjëherë që letra e mirë, ose kapitali i mirë nuk mjaftonin, në vetvete, për të fituar; duhet edhe të dije ta përdorje me mençuri, sikurse duhet të dije edhe ku të ndaleshe; meqë sistemi i mbajtjes së pikëve i ndëshkonte rëndë ata që nuk arrinin ta nderonin “kontratën”. Si të thuash, loja kërkonte edhe një lloj etike të kapitalit, që ishte në thelb e kundërt me etikën e akumulimit mekanik të parasë, të cilën e praktikonin të gjitha familjet në Shqipërinë socialiste; siç ishte e kundërt edhe me etikën e vjedhjes nëpërmjet mashtrimit (blofit), e cila gjente një farë mishërimi në lojëra të tilla si pokeri.

Regjimi totalitar nuk të linte shumë hapësirë për liri dhe nismë individuale, në lëmin ekonomik dhe financiar – në kuptimin që agjencia jote për të marrë vendime të pavarura reduktohej në zero; kjo edhe drejtpërdrejt, nëpërmjet ligjeve dhe rregullave të imponuara në mënyrë eksplicite, edhe tërthorazi, nëpërmjet organizimit specifik të jetës ekonomike dhe sociale. Me agjenci këtu kam parasysh aftësinë e një aktori individual për të çuar përpara mirëqenien e vet subjektive brenda kufizimeve të caktuara dhe për të ushtruar kontroll ndaj vendimeve që merr, brenda këtij konteksti.

Të gjitha lojërat shërbejnë, njëherazi, edhe si palestra të trajnimit dhe të fuqizimit të agjencisë individuale (dhe kolektive, për sportet me skuadra); por lloji i agjencisë ndryshon nga loja në lojë. Shahu trajnon agjencinë e veprimit të arsyeshëm, në kontekstin e një hapësire veprimi tërësisht të rregulluar; pokeri zhvillon, përkundrazi, agjencinë për të arritur synimin e fitores individuale me çdo mjet, nga llogaritja e probabiliteteve, te aftësia për të mashtruar (blofuar). Pa u zgjatur, do të thoja se bridge-i ofron trajnim të mirë për agjencinë në fusha të tilla si tregu, përfshi edhe tregun financiar a të valutave, ankandi dhe lidhja e kontratave; në kuptimin e lirisë për të vepruar brenda një bote të kodifikuar me ligj (duke u simbolizuar ligji në këtë rast nga rregullat e lojës) dhe ku veprimet e tua shpesh bien ndesh dhe hyjnë në konflikt me veprimet e individëve të tjerë. Kjo lloj agjencie, që “imiton” dinamika e lojës në bridge, kishte firuar nga jeta publike në totalitarizëm, nga vitet 1950 e më pas; për shkak të ndërhyrjeve të mëdha dhe të thella të shtetit në të drejtën ekonomike dhe të drejtën private; brezi im jo vetëm që nuk e kishte, por edhe ndeshte në vështirësi për ta kuptuar.

Për ta kthjelluar më mirë kontrastin mes filozofisë së bridge-it dhe jetës që bënim në Shqipërinë e atyre viteve, mbase duhet përmendur edhe vështirësia e shumëve prej nesh, sidomos në moshë të re, për të kuptuar se çfarë ishte kontrata. Fjalori i 1980-ës e cilësonte fjalën si term të së drejtës dhe e shpjegonte si “Marrëveshje me shkrim ndërmjet dy ndërmarrjeve a dy palëve, ku përcaktohen të drejtat dhe detyrimet ligjore të tyre; dokumenti që përmban këtë marrëveshje. Kontratë vjetore. Kontratë kolektive. Kontrata e punës. vjet. Kontrata e furnizimit (e grumbullimit të prodhimeve bujqësore). Kontrata e qirasë. Bëj (lidh, nënshkruaj) kontratën. Zbatoj (shkel, prish) kontratën. Vëreni që te ky përkufizim i jepet përparësi “ndërmarrjeve” mes palëve që lidhin kontratën; dhe nuk përmenden individët si palë. Edhe mes shembujve, kontrata e punës jepet si term i vjetruar. Në Fjalorin e tanishëm përkufizimi ka ndryshuar, sepse janë hequr ndërmarrjet: “Marrëveshje ndërmjet dy palëve, ku përcaktohen të drejtat dhe detyrimet me karakter juridik e ligjor; përmbajtja e kësaj marrëveshjeje, ku shënohet zbatimi, afati dhe koha sa zgjat marrëveshja.” Mungon në përkufizim kushti që kontrata duhet të jetë e nënshkruar, për të pasur fuqi ligjore; mbase hartuesit kanë marrë parasysh edhe kontratat “verbale”.

Në kulturën shqiptare, kontrata ka ardhur si formalizim i fjalës së dhënë (premtimit), por në rrethanat kur oralitetin e zëvendësoi shkrimi; deri vonë në vitet 1980 shumë marrëveshje private për shitblerje dhe gjëra të ngjashme bëheshin me një shtrëngim dore, ose me rrugë informale. Për të njëjtën arsye, shkelja e kontratës sillte po ato pasoja si mosmbajtja e fjalës së dhënë – zakonisht, turpërimin ose përbuzjen sociale për shkelësin. Për më tepër, ngaqë shumë shërbime ofroheshin nga shteti falas, as që lindte nevoja për kontratë me shkrim. Në përkufizimet që i jepen termit contratto, në fjalorët e ndryshëm të italishtes, lexon se bëhet fjalë për një marrëveshje që rregullon raportet juridike patrimoniale – në thelb çdo lloj marrëdhënieje mes palëve, të njohur nga ligji, që ka për objekt të mira ose shërbime të vlerësueshme në terma ekonomikë. Por ti mund të kaloje gjithë jetën, në një vend si Shqipëria, dhe të mos lidhje ndonjëherë ndonjë kontratë.

Kontrata në bridge nuk nënshkruhet nga palët; por ka rregulla specifike që e formalizojnë – deklarata e fundit konsiderohet e lidhur si kontratë, kur tre lojtarë kanë thënë pass njëri pas tjetrit. Palët që e kanë deklaruar tani do të përpiqen ta realizojnë, ndërsa kundërshtarët do të përpiqen që ta pengojnë realizimin. Krahasimi me regjimin ekonomik dhe social të kohës ndihmon për të kuptuar se loja – si model i jetës – shtjellohet edhe në bazë të rregullave të përgjithshme (p.sh. radha e të luajturit, vlera relative e letrave) aq edhe në bazë të kushteve të formalizuara nga kontrata. Ti mund të kesh në dorë shtatë spathi, përfshi edhe figurat AKQJ, por nëse kontrata është lidhur në kupë, spathitë e tua nuk do të vlejnë shumë. Por në rrethanat sociale për të cilat flas, kontratat në përgjithësi nuk luanin ndonjë rol në jetën tonë të përditshme: nuk kishim lidhur ndonjë kontratë për të shkuar në shkollë, ose për të përfituar shërbimet e dentistit ose të mjekut; prindërit tanë nuk kishin kontrata pune dhe as paguheshin në bazë marrëveshjesh të tilla. Fakti që shumë nga gjërat e tjera që bënim, për shembull tërheqja e një libri në librari, nënkuptonte një lloj kontrate mes nesh si lexues dhe librarisë si ofruese e librave falas, mbetej në hije. Në thelb, edhe një biletë autobusi funksiononte si kontratë transporti mes udhëtarit dhe ndërmarrjes së transportit publik, që vinte me të drejta dhe detyrime për të dyja palët; por në praktikë kjo kontratë praktikisht nuk ekzistonte; dhe askush nuk ia ndjente forcën detyruese. Në Shqipërinë e atyre viteve jetesa nuk kish asgjë transaksionale.

Mundësia për ta marrë në dorë statusin e vet ekonomik dhe për ta negociuar nëpërmjet kontratash të ndryshme vlen edhe si shenjë e lirisë së individit – që regjimi i atyre kohëve nuk e garantonte. Ty si qytetar të lejohej të përdorje një biçikletë për të lëvizur në qytet, por nuk të lejohej që të blije 10 biçikleta dhe t’ua jepje me qira atyre që kishin nevojë, kundrejt një pagese; dhe kjo ngaqë ligji nuk e lejonte sipërmarrjen private. Po ashtu, ti mund të zotëroje një copë tokë dhe ta shfrytëzoje për nevojat e tua individuale dhe familjare (p.sh. duke mbajtur pula), por nuk mund t’ia jepje një pjesë të tokës dikujt tjetër, që ta kultivonte përkundrejt një pagese. Kontratat janë instrumente juridike që e bëjnë të mundur lirinë ekonomike; por në një regjim që lirinë ekonomike nuk e garanton dhe as e njeh, por përkundrazi, që e ndëshkon si të jashtëligjshme, kontratave u bie vlera dhe rëndësia.

© 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është realizuar me AI. Botohet me leje te TemA.

Lini një Përgjigje