Krista Pike zgjohet pasi mbijetoi dy injeksioneve vdekjeprurëse, avokati: Është e zemëruar dhe e çorientuar

Krista Pike, e dënuara me vdekje në Tenesi, ka rifituar vetëdijen dhe ka nisur të flasë në spital, pasi javën e kaluar i mbijetoi dy injeksioneve vdekjeprurëse gjatë një ekzekutimi të dështuar. Zgjimi i saj ka befasuar mjekët dhe ekipin ligjor.

Të lidhura

None found

Detajet u bënë publike nga avokati Randy Spivey gjatë një seance në një gjykatë të Tenesit. Ai tha se të hënën në mbrëmje mjekët dyshuan se Pike kishte pësuar vdekje të trurit dhe planifikonin t’i hiqnin aparaturat që e mbanin në jetë të nesërmen.

Megjithatë, të martën ajo u zgjua dhe filloi të komunikonte.

Sipas Spivey, fjalët e para që shqiptoi Pike ishin: “Ku jam unë?” dhe “Kush je ti?”.

Avokati deklaroi se ajo është e zemëruar dhe e hutuar, ndërsa po përpiqet të rikujtojë çfarë ka ndodhur. Pike vijon të qëndrojë në spital, në një gjendje të rënduar shëndetësore.

“Ka një mpiksje gjaku në njërin krah. Ka pneumoni. Nuk mund të gëlltisë ende, kështu që nuk ka ngrënë”, tha Spivey. Ai shtoi se krahët dhe këmbët e saj janë shumë të enjtura dhe se ende nuk është e qartë se sa lëvizshmëri do të mund të rikuperojë.

Pas përfundimit të seancës, gjyqtarja Aisha Miles pranoi kërkesën e mbrojtjes për të ruajtur çdo provë dhe dokument që lidhet me ekzekutimin e dështuar. Në këtë urdhër përfshihen edhe materialet e ndodhura në dhomën e ekzekutimit, mes tyre tretësira vdekjeprurëse, shiringat dhe pajisjet intravenoze.

Mbrojtja synon t’i përdorë këto materiale në një padi të mundshme kundër shtetit të Tenesit dhe ka kërkuar gjithashtu më shumë qartësi për mënyrën se si u zhvillua procedura.

Ndërkohë, në Teksas, 46-vjeçari Jamal Howard u ekzekutua me injeksion vdekjeprurës, pavarësisht përpjekjeve të avokatëve të tij për ta ndalur procedurën. Mbrojtja iu referua rastit të Pike në kërkesën drejtuar Guvernatorit Greg Abbott për një shtyrje 30-ditore, por kërkesa u refuzua.

Ekzekutimi i Howard ishte i 30-ti këtë vit në Shtetet e Bashkuara dhe të gjitha ekzekutimet e kryera deri atëherë ishin realizuar me injeksion vdekjeprurës.

Ngjarja që lidhet me Pike ka rihapur debatin në SHBA për mënyrën e zbatimit të ekzekutimeve me injeksion vdekjeprurës, veçanërisht për transparencën mbi substancat e përdorura, procedurat dhe personelin e përfshirë.

Guvernatori i Tenesit, Bill Lee, ka kërkuar vendosjen e një moratoriumi për ekzekutimet në shtet dhe zhvillimin e një hetimi të pavarur. Më vonë, ai pranoi edhe dorëheqjen e drejtuesit të departamentit të korrektimeve.

Departamenti i Korrektimeve të Tenesit ka deklaruar se ekzekutimi i Pike u zhvillua sipas protokollit të miratuar. Shteti kishte hequr në maj të vitit 2025 moratoriumin trevjeçar mbi ekzekutimet.


Shtuar më 8.10.2026 09:40