Barcelona dhe Real Madridi kanë mësuar emrin e arbitrit që pritet të drejtojë përballjen e parë sezonale mes tyre, e planifikuar më 25 tetor në “Camp Nou”.
Të lidhura
None found
Roberto Gomez, gazetar i Radio MARCA, raportoi se Komiteti Teknik i Gjyqtarëve ka përzgjedhur Alejandro Jose Hernandez Hernandez për të arbitruar duelin mes dy gjigantëve të futbollit spanjoll.
Lajmi u bë publik gjatë emisionit “La Tribu”, por deri tani Federata Mbretërore Spanjolle e Futbollit nuk e ka zyrtarizuar këtë caktim. “Hernandez Hernandez do ta gjykojë El Clasicon”, deklaroi prerazi Gomez.
Të njëjtin informacion e ka publikuar edhe Mundo Deportivo, duke bërë të ditur se gjyqtari nga Ishujt Kanarie është kandidati i zgjedhur për këtë ndeshje.
Megjithatë, bilanci i Hernandez Hernandez në takimet e mëparshme me Barcelonën dhe Real Madridin ka rikthyer debatet, sidomos në kryeqytetin spanjoll.
Barcelona është drejtuar prej tij në 42 ndeshje, ku ka marrë 26 fitore, 12 barazime dhe ka pësuar vetëm katër humbje.
Ndërkohë, në 38 sfida të Real Madridit të gjykuara nga Hernandez Hernandez, madrilenët kanë regjistruar 21 fitore, gjashtë barazime dhe 11 humbje.
Arbitri spanjoll ishte në fushë edhe për El Clasicon e fundit të sezonit të kaluar, ndeshje të cilën Barcelona e fitoi me rezultatin 2-0.
Për këtë arsye, raportimet për emërimin e tij thuhet se kanë shkaktuar shqetësim të madh në kampin e Real Madridit, ku mendohet se statistikat e gjyqtarit në përballjet e rëndësishme nuk janë në favor të skuadrës madrilene.






