Rikthehen reshjet e dëborës, meteorologia Tanja Porja paralajmëron zonat me rrezik

Reshjet e shiut rikthehen në territorin shqiptar. Meteorologia Tanja Porja, teksa fliste për A2 CNN duke paralajmëruar një periudhë të paqëndrueshme atmosferike deri në mesin e javës së ardhshme.

Sipas saj, nga nata e sotme deri të martën e javës së ardhshme do të ketë reshje.

Të lidhura

None found

“Gjatë natës sonte, ditën e nesërme, të shtunën, të dielën, të hënën dhe të martën tjetër, do të kemi reshje. Presim rrebeshe të shkurtra në të gjithë territorin shqiptar. Veriu, veriperëndimi me rrebeshe më të shpeshta. Ndërkohë kemi rrebeshe afatshkurtra në pjesën tjetër të territorit shqiptar. Kemi dhe një tjetër celulë ku herë pas here intensifikohen reshjet në jug gjatë këtij 5 ditori, por fokusi do të jetë veriu dhe veriperëndimi”, tha meteorologia e A2 CNN, Tanja Porja në Dita Jonë.

Gjithashtu, reshjet e shiut rrezikojnë përmbytje në zonat e Lezhës dhe Nënshkodrës.

“Rrezikohet nga përmbytje në zonat e Nënshkodrës dhe të Lezhës. Bëhet fjalë për përmbytje të natyrës urbane për shkak të sasisë së madhe të reshjeve në afate shumë të shkurtra kohore. Nuk bëhet fjalë për fryrje lumenjsh dhe dalje lumenjsh nga shtrati, por thjesht për shkak të intensitetit të lartë të reshjeve”, theksoi ajo.

Meteorologia e A2 CNN,  theksoi se do të ketë ndryshime të forta termike në të gjithë vendin. Veriu do të ftohet, ndërsa jugu dhe jugperëndimi do të mbeten nën ndikimin e masave ajrore të ngrohta dhe të lagështa mesdhetare deri të dielën.

Porja paralajmëroi gjithashtu, mundësinë e reshjeve të dëborës në Ballkan gjatë së martës dhe së mërkurës.

“Dita e martë dhe e mërkura sjellin reshje dëbore në Ballkan. Dhe veriu shqiptar me reshjet e para të dëborës gjatë ditës së martë dhe të mërkurës. Bëhet fjalë për reshje në lartësi 1800 m apo 2000 m nga niveli i detit. Ftohen ndjeshëm kushtet e motit nga e hëna dhe në vijim në të gjithë Ballkanin. Një pjesë e mirë e Ballkanit do të ketë reshje dëbore. Mali i Zi, një pjesë e Kosovës dhe veriu i Shqipërisë është në atë zonën e riskut nga reshje dhe dëbore”, paralajmëroi Porja në Dita Jonë.


Shtuar më 8.10.2026 09:46