Një kryebashkiak shqiptar ka përdorur deepfake për të bërë një video me IA, pavarësisht se ndodhet në paraburgim. Në videon e postuar në Instagram, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përdori një avatar të IA-së për të adresuar votuesit e tij, duke premtuar drekën falas në shkolla për fëmijët.
Postimi është bërë viral, jo për përdorimin e IA-së, por sepse kryebashkiaku ndodhet aktualisht në paraburgim burg në pritje të gjyqit.
Pamjet e pazakonta, të cilat Instagram-i i ka etiketuar si "përmbajtje e IA-së", tregojnë një shëmbëllim digjital të politikanit duke qëndruar përpara flamurit shqiptar dhe atij të bashkisë. Kryebashkiaku shprehet se është "mbajtur peng për 20 muaj", ndërsa pret gjyqin.
Ai thotë: "Nuk mund ta dërgoj këtë përshëndetje veçse përmes inteligjencës artificiale.” Më pas avatari vazhdon duke renditur arritjet e tij në detyrë, përpara se të përsërisë premtimin për të siguruar ushqim falas në shkolla.
Ai shton: "Sado që duan të më mbajnë larg qytetit dhe larg jush, Tirana është nderi i jetës sime. Për ta shpaguar atë nder, do të vazhdoj të punoj edhe nga qelia ku më kanë mbyllur."
Fjalët e Veliajt shkaktuan reagim të menjëhershëm në Shqipëri, ku shumë njerëz e krahasuan videon me fjalimet e gjeneruara nga IA të politikanëve të tjerë të burgosur.
Në korrik, një avatar i gjeneruar nga IA i Jair Bolsonaros, ish-presidentit të Brazilit, u përdor gjatë fushatës presidenciale të djalit të tij. Ish-kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, bëri disa video të gjeneruara nga IA, më e spikatura për të shpallur fitoren në zgjedhjet e përgjithshme të vendit në vitin 2024.
Veliaj mbahet në paraburgim që prej shkurtit 2025, ndërsa muajin e kaluar, Gjykata e Lartë e Shqipërisë vendosi që ai duhet të qëndrojë në paraburgim gjatë procesit.
Ai mbetet kryetar i bashkisë së qytetit, pavarësisht se këshilli i Tiranës votoi për ta shkarkuar nga detyra në vitin 2025.
Në Shqipëri nuk është i panjohur përdorimi i IA-së në politikë. Kryeministri Edi Rama prezantoi në vitin 2025 Diellën, ministren e parë virtuale të IA-së në botë. Qeveria e emëroi Diellën në kabinet, duke e ngarkuar me gjetjen e korrupsionit në projektet qeveritare.
Disa muaj pas njoftimit, aktorja shqiptare Anila Bisha pretendoi se fytyra, zëri dhe pamja e saj ishin përdorur për të krijuar Diellën pa pëlqimin e saj të plotë. Ajo deklaroi se kishte rënë dakord vetëm për një chatbot qeveritar të njëhershëm, jo për një rol të përhershëm politik në kabinet.
Bisha tha gjithashtu se ishte përballur me ngacmime dhe fyerje si pasojë e reagimit negativ të publikut ndaj Diellës.
Qeveria shqiptare i hodhi poshtë pretendimet e saj si “gjepura".
Artikulli origjinal: https://www.thesun.co.uk/news/40615327/jailed-albania-mayor-ai-video-tirana-free-meals/
Lini një Përgjigje