Çfarë do të gjeni në brendësi
*Nga ora 10:00 e mëngjesit të sotëm, Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur në seancë plenare me temë kryesore diskutimi projektligjin e PS për Reformën Territoriale. Në të njëjtën kohë, një numër i madh protestuesish u mblodh jashtë godinës për të shprehur kundërshtinë ndaj reformës që shkrin 15 bashki. *Para nisjes së seancës, kryeministri Edi Rama u vendosi ultimatum deputetëve që kushdo që nuk votonte pro reformës, do të largohej nga PS. Në këto kushte, Vullnet Sinaj ndryshoi qëndrimin e tij. *Jashtë godinës pati përplasje mes policisë dhe protestuesve, mes të cilëve ishin të pranishëm edhe kryebashkiakë e deputetë të PD. *Në sallë, socialistët e demokratët parashtruan argumentimet e tyre pro dhe kundër reformës. PD u mbështet më së shumti në argumentin se reforma do të sillte shpopullim të mëtejshëm të vendit, ndërsa socialistët pretenduan se ulja e numrit të bashkive, do të sillte më shumë efiçencë në shërbimet e ofruara për banorët. Erion Braçe vijon të jetë kundër drafit të PS, por nuk dihet nëse do ta votojë apo jo. Reforma territoriale kërkon shumicë të cilësuar, ndërsa jashtë kanë rinisur protestat e qytetarëve
Reforma e re Territoriale drejt votimit në Kuvend, rinis protesta jashtë Parlamentit

Kuvendi pritet të votojë sot reformën e re administrativo-territoriale, e cila parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, përmes shkrirjes dhe bashkimit të 15 njësive vendore. Për miratimin e saj nevojiten 84 vota.
Në fokus të votimit është dhe qëndrimi i deputetit socialistë Erion Braçe ndërsa deputeti i PS Vullnet Sinaj ka ndryshuar qëndrim dhe ka votuar pro gjatë mbledhjes së sotme të grupit të PS-së.
Në seancën plenare pritet të jetë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, ndërsa jashtë Kuvendit opozita dhe mbështetësit e saj kanë zhvilluar protestë kundër hartës së re territoriale.
Me afrimin e votimit, protestuesit janë mbledhur sërish pranë godinës së Kuvendit. Forcat e policisë kanë vendosur kordon sigurie dhe kanë kufizuar afrimin e protestuesve demokratë drejt perimetrit të sigurisë.
Reforma territoriale është kundërshtuar nga opozita, e cila ka kërkuar tërheqjen e projektit. Ndërkohë, mazhoranca ka mbrojtur propozimin për reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46.
Votimi i sotëm do të përcaktojë nëse harta e re territoriale do të marrë shumicën e cilësuar prej 84 votash të kërkuara në Kuvend./Versus.al
"Reforma e 2014-ës ishte sukses", Mazniku: Shkrirja e bashkive, sjell më shumë shërbime për qytetarët
Bashkëkryetari i PS për komisionin e posaçëm të Reformës Territoriale, Arbjan Mazniku mbrojti në Kuvend propozimin për shkrirjen e 15 bashkive duke pretenduar se zvogëlimi i numrit të bashkive, do të përmirësojë shërbimet për qytetarët.
Duke e konsideruar reformën e vitit 2014 “të suksesshme”, Mazniku tha se këto rezultate nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur pritshmëritë e shqiptarëve pavarësisht se këta të fundit kanë protestuar kundër propozimit të socialistëve.
“Kur bashkohemi, bëhemi më të fortë. U thatë njerëzve që bashkitë tuaja do të zhduken, do të shkrihen. Njerëzit nuk jetojnë në hartë, jetojnë në shtëpinë e tyre, ku duan që t'u shkojë rruga, uji. Njerëzit jetojnë në lagjen e tyre, që duan t'u pastrohet dhe t'u ndriçohet. Njerëzit jetojnë në fshatin e tyre, ku duan kanale kulluese e rrugë për arat. Jetojnë në qytete, ku duan që të ketë çerdhe, kopshte dhe transport publik.
A ishte reforma e vitit 2014 një sukses? Në të gjitha dëgjesat, nga të gjitha diskutimet, po, reforma e vitit 2014 ishte sukses. Asnjë person i PD-së, asnjë person nuk tha: duam mbrapsht komunat. Ajo situatë, as propozimi i 100 bashkive, nuk tregon që ajo që kishim ishte mirë. Ajo që erdhi tregoi qartë se bashkitë u forcuan, të ardhurat u rritën, borxhet u ulën, fuqia investuese e bashkive u rrit. Por kjo është e pamjaftueshme për aspiratën që PS ka për mënyrën se si u shërbehet qytetarëve në territor. Kjo është përgjigjja për arsyen përse ne na duhet të ecim përpara”- tha Mazniku. Versus.al
"Jemi më të fortë se kurrë", Klosi sfidon PD: Fitojmë të gjitha bashkitë që do mbeten pas shkrirjes

Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi gjatë fjalës së tij në Kuvend iu drejtua deputetëve demokratë duke u thënë se socialistët “janë më të fortë se kurrë”.
Madje sfidoi demokratët që pas votimit të Reformës Territoriale që do të shkrijë 15 bashki, PS do të fitojë në të gjitha bashkitë që mbeten.
“Jemi më të fortë se kurrë. Jemi të gatshëm që t’ju sfidojmë që nga të gjitha bashkitë që do dalin sot pas votimit në Kuvend juve të merrni më pak sesa gishtat e dorës bashki të cilat mund t’I merrni vetëm nëse ne bëjmë ndonjë gabim. Nëse nuk bëjmë gabime, të gjitha bashkitë që do dalin sot nga votimi, ne do t’i fitojmë”- tha Klosi duke mos u fokusuar në protestat e qytetarëve, por në përllogaritje elektorale. Versus.al
“Trego a je burrë nga Vlora”, Sinaj ndryshoi votën pas urdhrit të Ramës, Zhupa: Qëndroji asaj që u ke thënë banorëve

Pasi deputeti socialist Vullnet Sinaj ndryshoi qëndrim për Reformën Territoriale pas ultimatumit të Ramës, deputetja demokrate Ina Zhupa i kërkoi atij që të tregonte se kishte vullnet të mbante fjalën që u kishte dhënë qytetarëve të Selenicës.
“Dua sot si deputete e qarkut të Vlorës të pyes në mënyrë të drejtëpërdrejtë, a ka Vullnet Sinaj që t’i qëndrojë asaj që ka thënë më 3 gusht se Selenica nuk duhet të shkrihet si bashki? A ke vullnet të tregohesh burrë nga Vlora dhe t’i qëndrosh fjalës që u ke dhënë qytetarëve? Sot po bëni një reformë që nuk po pyesni për 225 mijë qytetarë shqiptarë që po injoroni 15 këshilla bashkiakë që kanë votuar kundër”- u shpreh Zhupa. Versus.al
Protestat masive kundër shkrirjes së 15 bashkive, Balla: Qytetarët janë dakord, na dhanë 83 mandate në 11 maj

Pavarësisht se banorë të qyteteve të ndryshme u ngritën në protesta masive kundër Reformës Territoriale që parashikon shkrirjen e 15 bashkive, socialisti Taulant Balla tha sot në Kuvend se qytetarët kanë rënë dakord me reformën duke pretenduar se për këtë i kishin votuar më 11 maj 2025.
“Ne e kemi marrë dakordësinë e qytetarëve shqiptarë në 11 maj 2025 sepse kjo pikë ka qenë pika e parë e programit tonë Shqipëria 2030. Ju mund të konsultoni programin tonë dhe qytetarët shqiptarë na dhanë jo pak, por 83 mandate për këtë reformë. Ne do e diskutojmë dhe votojmë këtë pikë të rendit të ditës”- tha Balla.
Ndërsa demokratëve iu bëri thirrje që të marrin pjesë në ngritjen e komisionit të posaçëm për Territorialen që do të merret me kompetencat e pushtetit vendor.
“Ftesta jonë është që të ngremë së bashku komisionin e posacëm të reformës për pjesën e kompetencave. Qeshni qeshni, sa herë e sa herë ju kam parë të zgërdhiheni si sot. Unë po ju them, keni një javë kohë që të mendoni për pjesën e kompetencave. Kjo sot do të votohet, deri të enjten tjetër mendohuni, bëni gati propozimet”- shtoi më tej socialisti. Versus.al
Protesta për 'Territorialen', protestuesit të ndarë në dy grupe! Ata të Berishës dalin nga selia e PD

Një numër i lartë protestuesish janë mbledhur jashtë Kuvendit ku pritet të zhvillohet seanca plenare për votimin e Reformës Territoriale.
Protestuesit paraqiten të ndarë në 2 grupe, nga njëra anë ata të Partisë Demokratike dhe nga ana tjetër qytetarët që protestojnë prej 130 ditësh kundër klasës së vjetër politike.
Policia ka angazhuar 1500 efektivë në terren për mbarëvajtjen e protestës. Versus.al
Zërat kundër ‘Territoriales’ brenda PS, Rama mbledh deputetët para votimit më pas largohet nga Kuvendi

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur grupin parlamentar të Partisë Socialiste para nisjes së seancës plenare që mbahet sot në Kuvend për votimin e Reformës Territoriale.
Mësohet se në mbledhje mungonte deputetja Belinda Balluku. Ndërsa sa i takon qëndrimit të socialistëve për Reformën, më herët deputetët Vullnet Sinaj dhe Erion Braçe kanë shprehur kundërshtimin e tyre. Pas përfundimit të mbledhjes, kryeministri është larguar nga Kuvendi i shoqëruar me eskortën e tij të mjeteve 'fuoristradë'. Versus.al
Protesta kundër Reformës Territoriale, policia bllokon rrugët që të çojnë tek Kuvendi, gati autoboti me ujë

Ndërkohë që pritet nisja e seancës plenare ku do te diskutohet dhe votohet Reforma Territoriale që përmban shkrirjen e 15 bashkive, jashtë Kuvendit policia ka rrethuar të gjitha rrugët që të çojnë drejt godinës me qëllim mbrojtjen e deputetëve.
Qytetarët dhe Partia Demokratike kanë njoftuar protestë ku pritet të marrin pjesë dhe banorë nga bashki që janë planifikuar për shkrirje me bashki më të mëdha.
Policia ka marrë masat për t'u përballur me protestuesit në raste tensioni duke përgatitur edhe autobotin me ujë. Versus.al
Kuvendi voton sot “Territorialen”, PS në dilemë për “kartonat jeshilë”! PD e qytetarët protestë jashtë godinës
Sot Kuvendi mblidhet në seancë plenare duke nisur nga ora 10:00 e paradites. Çështja kryesore që pritet të shoqërohet me debate është projektligji i Partisë Socialiste për ndarjen administrativo territoriale që parashikon shkrirjen e 15 bashkive duke e lënë vendin me 46 bashki në total.
Projektligji pritet të debatohet dhe votohet pas 4 interpelancave të kërkuara nga deputetët opozitarë me ministrat e qeverisë.
Ndërkohë Partia Demokratike ka shprehur qëndrimin e qartë kundër Reformës Territoriale dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të dalin në protestë kombëtare për të shprehur kundërshtimin e tyre. Njëkohësisht edhe qytetarët që protestojnë prej 130 ditësh kanë paralajmëruar protestë së bashku me banorët që preken nga shkrirja e bashkive.
PS është "në luftë me kartonat" pasi dy prej deputetëve, Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj kanë shprehur qëndrimin kundër pr/ligjit. Megjithatë pritet të shihet nëse ky qëndrim do të përkthehet në votë kundër. Në rast të tillë, reforma nuk do të miratohej edhe nëse PSD e Tom Doshit e voton sepse qeveria nuk bën dot shumicën e cilësuar. Versus.al

