Në mbledhjen e grupit parlamentar socialist që sot i parapriu seancës plenare ku në rend dite është Reforma Territoriale, mësohet se kryeministri Edi Rama iu vuri të vetëve një ultimatum. Një burim nga grupi PS-së i tha gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu se Rama u shpreh:
Kush nuk voton reformën territoriale sot, le të iki!
Ndërkaq, burime të cituara nga mediat thonë se Vullnet Sinaj është tërhequr nga vota kundër. Drafti i maxhorancës që shkrin 15 bashki e që kundërshtohet nga qytetarë të tyre, si dhe opozita, nuk pati as pëlqimin e Erion Braçes, përveçse të Sinajt, i cili tani duket se do ta votojë.
Tashmë, mbetet të shihet qëndrimi i Braçes në seancë kur të kalohet në votim. Kujtojmë se miratimi i hartës së re kërkon 84 vota. Opozita e kundërshton e ka paralajmëruar “betejë” në sallën e Kuvendit, krahas protestës së thirrur jashtë.
Ndërkohë, sot iu rrëzua kërkesa për mocion me debat lidhur me SHISH-in. Po ashtu, PS-ja refuzoi edhe kërkesën për interpelancë urgjente me Ramën.