Mazhoranca ka rrëzuar me 76 vota kundër kërkesën e Partisë Demokratike për zhvillimin e një mocioni me debat në Kuvend lidhur me çështjen e ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni.
Kërkesa e opozitës synonte që në Kuvend të diskutohej për përgjegjësitë institucionale që lidhen me emërimin, ushtrimin e detyrës dhe mbikëqyrjen e ish-drejtoreshës së SHISH, si dhe për dyshimet e ngritura në kuadër të hetimit të SPAK.
Gjatë diskutimit, opozita kërkoi që çështja të trajtohej në Parlament, ndërsa mazhoranca argumentoi se hetimi duhet t’u lihet institucioneve të drejtësisë. Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, deklaroi se SPAK duhet të vijojë hetimin dhe se Kuvendi nuk duhet të zëvendësojë kompetencat e prokurorisë.
Pas votimit, kërkesa e PD-së nuk mori shumicën e nevojshme dhe mocioni me debat nuk do të zhvillohet.
Ndërkohë, jashtë ambienteve të Kuvendit vijon protesta e opozitës, ku situata është shoqëruar me tensione dhe përdorim të gazit lotsjellës nga policia.













