Rikthimi i Rihanna-s në muzikë duket se vazhdon të jetë një nga temat që i mban më të intriguar fansat. Një koment i shkurtër i këngëtares ka mjaftuar për të rikthyer vëmendjen te muzika e re që ajo mund të ketë në arkiv. Gjatë një transmetimi live të Fenty Beauty në TikTok, Rihanna u pyet për këngët që ka regjistruar ndër vite, por që ende nuk i ka bërë publike.
Duke iu referuar “Gloss Bomb Vault”, paketës së Fenty Beauty që përmban dhjetë produkte, artistja bëri një krahasim që menjëherë tërhoqi vëmendjen. “Nëse këtu janë dhjetë produkte, atëherë unë kam të paktën 17 kuti me këngë”, u shpreh Rihanna. Kaq mjaftoi që fansat të nisnin të bënin llogaritjet e tyre. Duke marrë për bazë krahasimin e saj, ata kanë spekuluar se këngëtarja mund të ketë rreth 170 këngë të parealizuara.
Megjithatë, Rihanna nuk dha asnjë konfirmim për numrin e këngëve dhe nuk sqaroi nëse këto materiale do të përdoren në projektin e saj të ardhshëm muzikor. Deklarata ka rikthyer kështu në qendër të vëmendjes “R9”, albumin që fansat e presin prej vitesh. Albumi i fundit i Rihanna-s, “Anti”, u publikua në vitin 2016 dhe që prej atëherë, rikthimi i saj me një album të ri është kthyer në një nga pritjet më të mëdha të industrisë së muzikës.