E enjte, 8 Tetor 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

“Policia po dhunon protestuesit”, Bardhi-Ballës: Mbrojtët Ballukun, sot do ta sillni zvarrë nga palestra se ju duhet vota për “Territorialen”

Teksa deputetët e Kuvendit të Shqipërisë zhvillojnë seancën plenare, ku pritet të votohet propozimi i Partisë Socialiste për hartën e re territoriale, jashtë ambienteve të Kuvendit qindra qytetarë protestojnë kundër kësaj reforme.

Propozimi parashikon shkrirjen e 15 bashkive dhe bashkimin e tyre me njësi më të mëdha fqinje.

Reklamë

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, akuzoi policinë për ushtrim dhune ndaj protestuesve dhe i bëri thirrje drejtuesve të Kuvendit që të ndërhyjnë për ndalimin e saj.

Bardhi: Është e papranueshme që Policia e Shtetit të shërbejë si polici politike. Është e papranueshme që qytetarëve t’u mohohet e drejta për të protestuar dhe që Kuvendi të rrethohet me tela metalikë. Le të ndalin menjëherë shkeljen e ligjit dhe dhunën ndaj qytetarëve. Ju duhet të dëgjoni zërin e qytetarëve që protestojnë dhe kërkojnë të mos votoni hartën e shpopullimit të vendit. Zoti Kryetar i Kuvendit, bëjini thirrje policisë që të lejojë qytetarët të protestojnë. Dilni dhe urdhëroni policët të ndalin dhunën ndaj qytetarëve.

Reklamë

Bardhi iu përgjigj gjithashtu kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili gjatë fjalës së tij në Kuvend tha se SPAK po bën punën e vet dhe se mazhoranca mbështet hetimet e pavarura lidhur me çështjen e SHISH-it.

Kujtojmë se Vlora Hyseni, ish-drejtuese e SHISH-it, ndodhet nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”, pasi akuzohet për “nxjerrje të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit”.

Bardhi i rikujtoi Ballës edhe rastin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila është nën hetim për shkelje të barazisë në tendera dhe për të cilën mazhoranca nuk votoi heqjen e imunitetit.

Bardhi: Kur dëgjova Taulant Ballën që erdhi këtu dhe tha ‘ne mbështesim SPAK-un’, mendova se do të kërkonte falje për vendimin e 12 marsit, ku i dolëm me 82 vota kundër për të mbrojtur një të korruptuar që sot do ta sillni zvarrë nga palestra, se ju duhet vota për të kaluar reformën. Përpara se të na shisni moral se sa e mbështesni ju SPAK-un, eja këtu dhe kërko falje. Vetëm pasi ta bësh këtë, na jep leksione se çfarë duhet të bëjmë ne me prokurorët e SPAK-ut. Ju jeni palë, por Kuvendi i Shqipërisë nuk është palë. Shumë nga kolegët nuk janë ekipi i Ergys Agasit. Disa prej jush janë palë.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.