Baton Zabërgja shpallet lojtari më i mirë i muajit shtator në Ukrainë

Baton Zabërgja po kalon një periudhë të shkëlqyer në futbollin ukrainas.
Sulmuesi nga Kosova është shpallur lojtari më i mirë i muajit shtator te Metalist Kharkiv në Ukrainë, duke marrë një tjetër vlerësim për paraqitjet e tij mbresëlënëse.
Zabërgja ishte vendimtar gjatë muajit shtator, duke regjistruar dy gola dhe një asistim në tri ndeshje, me një total prej 229 minutash në fushë.
Kontributi i tij ishte i drejtpërdrejtë në tri gola të skuadrës ukrainase.
Forma e tij nuk ka kaluar pa u vënë re. Në ndeshjen ndaj Bukovinës më 19 shtator, Ish-lojtari i Dinamos së Tiranës, u shpall edhe lojtari i ndeshjes, pasi mori 47% të votave të tifozëve. Për të, ky ishte vlerësimi i dytë radhazi si lojtari më i mirë i një ndeshjeje.
Statistikat e sezonit flasin qartë për ndikimin e tij. Sipas të dhënave të Premier League-s ukrainase, Zabërgja ka zhvilluar gjashtë paraqitje në kampionat, me katër gola dhe 325 minuta të luajtura.
Edhe më herët gjatë sezonit, sulmuesi kosovar kishte tërhequr vëmendjen me formën e tij. Në fillim të shtatorit, ai kishte regjistruar tri gola dhe një asistim në pesë ndeshjet e para të kampionatit, duke u renditur mes golashënuesve më të mirë të elitës ukrainase.
Ky vlerësim është një tjetër dëshmi e rritjes së Zabërgjës në futbollin ukrainas. Pas një sezoni të parë ku kontribuoi me tetë gola dhe tri asistime në të gjitha garat, 25-vjeçari duket se e ka nisur sezonin e ri me një ritëm edhe më të lartë.




