Bardhi përplaset me Spiropalin në Kuvend, deputetja e PS: S’ka njeri që më shantazhon mua!

Reforma territoriale e cila pritet që të votohet sot në Kuvend, ka përplasur ashpër socialistët dhe demokratët.
Kreu i grupit demokrat të PD Gazment Bardhi ka replikuar me Taulant Ballën, duke i thënë se shkrirja e 15 bashkive nuk do sjellë asnjë gjë pozitive për qytetarët, por vetëm do i largojë ata më tepër.
Bardhi nuk kurseu në akuzat e tij as deputeten e PS Elisa Spiropali.
“Taulant Balla tha të njëjtën gjë si në 2015, do ketë më shumë shërbime dhe më shumë të mira. Por çfarë ndodhi? Shërbimet nuk shkuan. U nis autobusi për jashtë vendit. Bashkitë u lanë pa kompetenca dhe pa shërbime. Edi Rama është kryetari i të gjitha bashkive të vendit. Ai jep leje ndërtimi, ai thotë çfarë do bëhet, ku do bëhet qenra e qytetit. Do votohet sepse keni një njeri që njeh kodin mafioz. Deputetët që dolën kundër ndryshuan mendim. Ju jeni shumica e krimit”, tha Bardhi.
Deputetja e PS Elisa Spiropali ju përgjigj ashpër akuzave që demokrati referoi në drejtim të saj.
“S’ka njeri tjetër këtu që ka prezantuar ndonjë pklatformë. Nuk ka njeri këtu të më shantazhojë mua. As ata që të shantazhuan ty me çfarë kishe drejtues të PD në Fier. Nuk mund të përdoret këtu çdo mikrofon e çdo diskutim për të folur për të njëjtën çështje. Unë u qëndroj gjërave që kam thënë. Unë kam dalë kundër personalizimit të pushtetit, atë që ju e keni moto. Unë i kam dalë kundër kësaj kulture sepse besoj se ne kemi nevojë për ndryshim”, tha Spiropali.




