Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, është përplasur në Kuvend me deputetin socialist Taulant Balla, gjatë debatit për reformën territoriale dhe çështjet e drejtësisë.
Bardhi e akuzoi Ballën se po mbron mazhorancën dhe korrupsionin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ndërsa i kërkoi të mos japë leksione për drejtësinë dhe SPAK-un.
Duke iu referuar votimit të 12 marsit, Bardhi tha se mazhoranca kishte dalë me 82 vota kundër SPAK-ut, sipas tij për të mbrojtur një zyrtare të korruptuar. Ai akuzoi gjithashtu Ballën se është “palë” në çështje dhe se Kuvendi, ndryshe nga individët, ka përgjegjësinë të kërkojë transparencë dhe llogari.
Bardhi: Kur dëgjova Taulant Ballën që erdhi këtu dhe tha: “Ne e mbështesim SPAK-un”, mendova se do të kërkonte falje për vendimin e 12 marsit, kur i dolët me 82 vota kundër SPAK-ut për të mbrojtur një të korruptuar, të cilën sot do ta sillni zvarrë nga palestra, sepse ju duhet vota e saj për të kaluar reformën territoriale.
Përpara se të na shesësh moral këtu, në këtë foltore, se sa e mbështesni ju SPAK-un, eja këtu dhe kërko falje. Eja këtu dhe mos i dil për zot vilave të Belindës, nga Dhërmiu në Itali e në Vjenë, dhe vetëm pasi ta bësh këtë, na jep leksione se çfarë duhet të bëjmë ne me prokurorët e SPAK-ut.
Dhe, e treta, po, ju jeni palë, siç e the, por Kuvendi i Shqipërisë nuk është palë.
Shumë nga kolegët këtu socialistë thonë: “Nuk jam palë.” Sepse nuk janë ekipi i Ergys Agasit. Nuk janë pjesë e ekipit të krimit të organizuar.
Po, disa prej jush janë palë, dhe ti bën shumë mirë që erdhe këtu dhe the: “Ne nuk mund të verifikojmë dhe të kërkojmë llogari për këtë çështje, sepse jemi palë.”
Je palë dhe shumë mirë që u dëshmove se je palë. Por Kuvendi i Shqipërisë dhe pjesa dërrmuese e këtyre deputetëve në këtë sallë nuk janë palë në këtë çështje.
© SYRI.net