Artan Gaçi, bashkëshorti i ish-ministres Olta Xhaçka, është paraqitur mëngjesin e kësaj të enjteje në Prokurorinë e Posaçme (SPAK).
Gaçi është parë i shoqëruar nga avokati i tij, teksa është futur në ambientet e SPAK.
Nuk dihen ende arsyet e paraqitjes së sotme të Gaçit në SPAK, ndërsa kujtojmë se emri i tij është lakuar në hetime dhe kallëzime për pronat në jug të vendit dhe statusin e investitorit strategjik të përfituar për projektin e tij në Himarë.
Kujtojmë se më prill 2025, GJKKO urdhëroi SPAK të regjistronte kallëzimin penal ndaj Olta Xhaçkës dhe Artan Gaçit. Sipas raportimeve kallëzimi lidhej me dyshimet për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh dhe pastrim të produkteve të veprës penale, në lidhje me çështjen e pronave në Himarë.Në qendër të çështjes është një sipërfaqe prej rreth 5,512 metrash katrorë në Gjilekë, për të cilën janë ngritur pretendime për parregullsi në dokumentacionin e pronësisë. Gaçi kishte përfituar më pas statusin e investitorit strategjik për projektin e tij në këtë zonë.
Sipas kallëzimit t% depozituar në SPAK, Artan Gaçi dyshohet për falsifikim dokumentesh dhe pastrim të produkteve të veprës penale, ndërsa Olta Xhaçka është kallëzuar për shpërdorim detyre.
Ndërkohë në vitin 2023, SPAK kishte sekuestruar truallin prej 5,512 metrash katrorë në kuadër të hetimeve për falsifikim të aktit të marrjes së tokës në pronësi.
© SYRI.net