Një tentativë e pazakontë kontrabande është zbuluar në aeroportin e Miami-t, ku autoritetet amerikane kapën një burrë që kishte fshehur 10 zogj ekzotikë të gjallë në të brendshme. Ngjarja ndodhi të dielën, kur burri me origjinë kubane, i cili prej vitesh jeton në SHBA, mbërriti me avion nga Havana pas një vizite familjare në Kubë.

Gjatë kontrollit, ai deklaroi se nuk kishte asgjë për të zhdoganuar dhe mohoi se po sillte kafshë në SHBA. Por një punonjës i doganës vuri re një fryrje të pazakontë në pjesën e përparme të pantallonave, ndërsa burri shfaqej nervoz. Në një kontroll më të detajuar, doganierët zbuluan gjashtë tuba plastikë transparentë, të mbështjellë me shirit ngjitës dhe pjesërisht me rrjetë të zezë në pjesën e hapjes.
Brenda tyre ndodheshin gjithsej 10 papagaj. Tubat ishin vendosur në të brendshmet e burrit. Sipas raportit, dyshohet se zogjtë do të shiteshin ilegalisht në SHBA, pasi burri nuk kishte dokumentacionin e nevojshëm për importimin e ligjshëm të kafshëve të egra. Ai u arrestua, por më pas u la i lirë kundrejt garancisë. Mbetet e paqartë se si kishte arritur të kalonte kontrollet e sigurisë në aeroportin e Havanës me zogjtë e fshehur.