Pentagoni udhëzoi Komandën Qendrore të SHBA-së disa ditë më parë që të përfundonte përgatitjet për rifillimin e operacioneve të mëdha luftarake në Iran, thanë zyrtarë amerikanë. Urdhri nuk përfshinte një datë specifike për nisjen e sulmeve dhe Presidenti Trump nuk ka marrë ende ndonjë vendim përfundimtar. Megjithatë, burime amerikane dhe izraelite thonë se kjo mund të ndodhë para zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA dhe ndoshta para zgjedhjeve izraelite, të cilat mbahen një javë më herët. Nëse rifillojnë operacionet e mëdha luftarake, ato pritet të përfshijnë bombardime masive ndaj objektivave iraniane të energjisë, infrastrukturës dhe atyre bërthamore, thonë burimet. Rifillimi i luftës në tre ose katër javët e ardhshme mund të ndikojë në zgjedhjet e mesit të mandatit, pjesërisht sepse çmimet e naftës mund të rriten si pasojë. "Detyra e Departamentit është të hartojë dhe t'i paraqesë opsione ushtarake Presidentit," tha një zyrtar i Pentagonit për Axios. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se Trump i ka të gjitha opsionet në dispozicion në çdo kohë. "SHBA-ja është në një pozicion shumë të fortë, me kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit dhe ekonominë iraniane që po shembet. Irani është gjunjëzuar dhe situata do të marrë një nga dy drejtimet: atë të lehtë ose atë të vështirë," tha zyrtari. "Presidenti Trump i ka të gjitha 'kartat' në dorë dhe do të bëjë atë që është më e mira për Shtetet e Bashkuara." "The Atlantic" raportoi më herët të mërkurën se Trump po shqyrton mundësinë e një sulmi ndaj Iranit para zgjedhjeve. Të premten, ekipi i sigurisë kombëtare i Trumpit u takua në Camp David për disa orë për të diskutuar mbi luftën dhe çështje të tjera. Një zyrtar izraelit i tha Axios-it se një pjesë e takimit u përqendrua te rifillimi i mundshëm i operacioneve të mëdha luftarake në Iran. Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, tha pas takimit se diskutimet u përqendruan te planifikimi afatgjatë i politikës së jashtme.