Balla i jep opozitës një javë afat: “Territorialja votohet sot, të enjten ngremë komisionin për kompetencat”

8 Tetor 2026, 12:11Politika TEMA
Balla i jep opozitës një javë afat: “Territorialja votohet

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka ftuar opozitën që javën e ardhshme të marrë pjesë në ngritjen e një komisioni të posaçëm për fazën e dytë të Reformës Administrative Territoriale, e cila do të fokusohet jo më te ndarja e bashkive, por te kompetencat e tyre.
Duke folur në Kuvend, Balla e bëri të qartë se mazhoranca do ta votojë sot hartën e re territoriale, ndërsa opozitës i la një javë kohë për të përgatitur propozimet për kompetencat që duhet t’u kalojnë njësive të reja vendore.

“Ditën e enjte, javën e ardhshme, të ngremë së bashku komisionin e posaçëm të reformës territoriale, tashmë jo për pjesën e ndarjes, por për pjesën e kompetencave”, deklaroi Balla.

Ai iu drejtua drejtpërdrejt deputetëve të opozitës, duke u kërkuar të përdorin javën në vijim për të hartuar propozimet e tyre.
“Keni një javë kohë që të mendoni, që të vini për pjesën e kompetencave. Kjo sot do të votohet. Deri të enjten tjetër, mendoni, bëni gati propozimet”, tha kreu i grupit socialist.

Sipas Ballës, pas miratimit të hartës së re, diskutimi duhet të zhvendoset te funksionet dhe kompetencat që do të ushtrojnë bashkitë, me synimin që një pjesë e tyre të marrin më shumë përgjegjësi dhe të ofrojnë më shumë shërbime për qytetarët.
Ai tha se socialistët janë të gatshëm t’u transferojnë bashkive të reja kompetenca që sot disa prej njësive vendore nuk i ushtrojnë ose nuk arrijnë t’i ofrojnë në mënyrë efektive.

Fjala e plotë:

Sa i përket ligjit për Reformën Administrative Territoriale 2.0. Ne e kemi marrë dakordësinë e qytetarëve shqiptarë në 11 maj 2025, sepse kjo pikë ka qenë pika e parë e programit tonë "Shqipëria 2030". Ju i konsultoni programet tona, shkoni dhe lexojeni. Dhe qytetarët shqiptarë na dhanë jo pak, por 83 mandate për ta çuar përpara këtë reformë. Ftesa ime për ju sot nuk është të mos diskutojmë; ne do ta diskutojmë dhe do ta votojmë sot këtë pikë të rendit të ditës. Ftesa ime për ju sot është që t'i përgjigjeni ofertës që jua thashë edhe një javë më parë. Ditën e enjte, javën e ardhshme, të ngremë së bashku komisionin e posaçëm të reformës territoriale, tani më jo për pjesën e ndarjes, por për pjesën e kompetencave. Nëse qeshni, qeshni; e sa herë ju kam parë, e sa herë ju kam parë unë të qeshni e të zgërdhiheni kështu si sot, unë, unë po ju them: keni 1 javë kohë që të mendoni, që të vini për pjesën e kompetencave. Kjo sot do të votohet. Deri të enjten tjetër, mendoni, bëni gati propozimet. Sigurisht do kemi pas 50 ditësh për të diskutuar edhe një propozim që ka ardhur nga ju, se keni bërë edhe ju një propozim. I mirëpritur, e drejta juaja. Po shprehen këshillat bashkiak, të mbarojnë këshillat bashkiak. Kjo sot do të votohet. Dhe prandaj, mirë është që merreni këtë javën, sepse gjithmonë kështu ndodh: ju qeshni, te mbledhja e parë nuk bëheni pjesë, te e dyta vini. Dhe t'ju kujtoj këtu që në fund të nëntorit mbaron dhe afati i komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore, për të cilën, për të cilën kemi ende kohë. Dy bashkëkryetarët meritojnë respektin tonë për punën që kanë bërë deri tani, edhe për anëtarët e tjerë të komisionit. Besoj shumë që e kuptoni edhe ju rëndësinë që ka edhe për ato afatet e agjendës tonë europiane që t'i përmbahemi. Por sa i përket reformës administrative territoriale që votojmë sot, edhe kjo është bërë përmes një pune të shkëlqyer, një vit ku janë pyetur komunitetet, janë konsultuar bashkitë. Kjo është një reformë e cila ka vetëm një emër. Dallimi mes nesh dhe jush është: ju interesoheni për kryetarin e bashkisë, ne interesohemi për qytetarin, banorin e bashkisë. Ne i garantojmë të gjithë qytetarët e 46 bashkive të reja që shërbime më të mira publike, shërbime më të mira nga të gjitha bashkitë, dhe jemi gati t'i transferojmë bashkive të reja kompetenca të cilat sot një pjesë e atyre bashkive, funksione ato bashki nuk i kryejnë për qytetarë. Ky është dallimi mes nesh dhe jush. Ju keni hall karrigesh, ne kemi hall shërbimesh. Kështu që votojmë kundër kërkesën e depozituar nga kryetari i grupit, parlamentar të Partisë Demokratike. Sa i përket kërkesës tjetër për të hequr interpelancat, pastaj kjo është qesharake komplet. Këta që bërtasin në seancë: "Nuk duam interpelanca, nuk duam interpelanca", sot thonë "s’i duam". Tani interpelanca këtu do bëhet. Ah, s'doni ju normalitet? S'doni ju normalitet? Nëse doni, bëni interpelancë. Nëse s'doni, mos harroni: nuk mund ta depozitoni interpelancën brenda këtij sesioni.

Lini një Përgjigje