“Jemi më të fortë se kurrë”, Klosi-opozitës: Do t’i marrim 46 bashkitë e reja, ju do fitoni vetëm nesë bëjmë ne gabime

Në Kuvend vijon debati për reformën e re administrativo-territoriale, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, u shpreh i bindur se mazhoranca do të fitojë në të gjitha bashkitë që do të krijohen pas votimit të hartës së re.
Nga foltorja e Kuvendit, Klosi sfidoi opozitën për zgjedhjet e ardhshme lokale, duke deklaruar se PS është “më e fortë se kurrë”.
Ai akuzoi gjithashtu opozitën se po shmang diskutimin për përmbajtjen e reformës dhe po krijon tension në seancë.
Blendi Klosi: Jemi më të fortë se kurrë. Jemi të gatshëm t’ju sfidojmë që, nga të gjitha bashkitë që do të dalin sot nga votimi, ju të merrni më pak se gishtat e dorës bashki, të cilat mund t’i merrni, siç i morët herën e kaluar, sepse ne bëmë ndonjë gabim. Të gjitha bashkitë që do të dalin sot nga votimi, ne do t’i fitojmë.
Nuk doni të flisni kur të hapet diskutimi dhe flisni tani që është për procedurë. Ne jemi këtu për të folur, ne jemi këtu për të diskutuar, për t’u përballur me argumente, sepse ne mendojmë që bashkimi i bën bashkitë më të forta.
Ne e kemi marrë mandatin që t’u shërbejmë më mirë qytetarëve. Prandaj po kërkojmë që të fillojmë të hyjmë në diskutim normal parlamentar. Ju bëni këtë rrëmujën e zakonshme.




