‘Gjobat’ ndaj punonjëseve të Postës së Durrësit, burg për burrin e ish-drejtoreshës Elisabeta Mataj

08/10/2026 12:10

Feta Mataj lihet në qeli deri në fund të hetimeve, bashkëshorti i ish-drejtoreshës së Postës Durrës

Feta Mataj, bashkëshorti i ish-drejtoreshës së filialit të Postës Shqiptare në Durrës, Elisabeta Mataj, është lënë në qeli deri në përfundim të hetimeve.

Lajmi konfirmohet nga korrespondentja e Top Channel Vali Qyrfyçi. Feta Mataj, i cili pak kohë më parë ai u emërua në detyrën e zv.drejtorit të ndërmarrjes komunale të pastrim-gjelbërimit në Bashkinë Durrës, është arrestuar nga krimi ekonomik pak ditë më parë.

Arrestimi u bë pasi gjatë marrjes në pyetje, një punonjëse e filialit të postës ka deklaruar se Feta Mataj, burri i drejtoreshës u kërkonte çdo muaj punonjëseve shumën prej 25 mijë lekëve.

Avokati i Matajt pretendon se klienti i tij është arrestuar për të mbuluar vjedhjen e 2.5 miliardë lekëve nga drejtoresha e financave të Postës.

“Në këtë rast kërkohet të fshihet e vërteta. Ne jemi në konflikt të hapur me Prokurorinë e Durrësit pasi ka tre muaj që nuk ka siguruar asnjë provë. Gjykata vendosi për vazhdimin e mbajtjes së masës së “Arrestit në burg”, siç ishte objekti. Kjo Gjykatë e ka marrë vendimin para 3 ditësh. Sot në seancë gjyqësore bëhet verifikimi i kushteve të arrestit në lidhje me përshtatshmërinë e masës së caktuar nga Gjykata dhe provat e reja të dala. Ne sot paraqitëm prova reale”, tha avokati i Matajt.

Elisabeta Mataj u përfshi në çështjen e skandalit financiar në filialin e Postës së Durrësit, ku dyshohet për përvetësimin e 69 milionë lekëve të rinj, fonde të destinuara për pagesat e pensioneve dhe ndihmave sociale. Për këtë dosje, Elisabeta Mataj ndodhet në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

 

Top Channel