Një 23-vjeçare është arrestuar në Wisconsin, pasi dyshohet se u paraqit si mësuese zëvendësuese në një shkollë të mesme dhe shkaktoi trazira në klasë, duke ofenduar nxënësit.
Të lidhura
None found
Amy Jones përballet me akuzën e uzurpimit të një funksioni publik, si edhe me pesë akuza për ekspozimin e të miturve ndaj përmbajtjeve të dëmshme. Gjatë marrjes në pyetje, ajo dyshohet se u tha autoriteteve se e kishte ndërmarrë këtë veprim nga “mërzia” dhe se “i urrente fëmijët”.
Ngjarja ndodhi në Rufus King International High School në Milwaukee, institucionin ku Jones kishte qenë më parë nxënëse. Hetuesit kanë konstatuar se ajo e kishte vëzhguar shkollën në mënyrë të përsëritur për rreth një javë, përpara se të futej në ambientet e saj duke shmangur kontrollet e sigurisë dhe duke u përzier me nxënësit.
Sipas dyshimeve, 23-vjeçarja shfrytëzoi mungesën e një numri të madh anëtarësh të stafit. Atë ditë mungonin tetë mësues, ndërsa ishin regjistruar vetëm shtatë zëvendësues. Jones dyshohet se u paraqit si mësuesja e tetë zëvendësuese dhe hyri në një klasë ku ndodhej një tjetër mësues.
Kur kaluan rreth 20 minuta dhe mësuesi tjetër u largua, Jones dyshohet se vuri në zbatim planin e saj. Dëshmitë tregojnë se ajo i ndau nxënësit sipas racës dhe gjinisë, ndërsa ndaj tyre përdori shprehje raciste, fyese, denigruese dhe me përmbajtje seksuale.
Gjithashtu, ajo lidhi kompjuterin e klasës dhe lëshoi muzikë rap me zë shumë të lartë. Gjatë incidentit, sipas dëshmive, 23-vjeçarja u shpreh se nuk kishte frikë të përfundonte në burg.
Një nxënës 16-vjeçar ka treguar se Jones e quajti një prej nxënësve “djalë të shëndoshë”, ndërsa dy të tjerë i akuzoi se ishin persona që mund të shkaktonin të shtëna në shkolla.
Mediat lokale raportojnë, bazuar në dëshmitë e mbledhura, se ajo i pyeti nxënësit nëse kishin cigare elektronike ose marihuanë. Po ashtu, ajo u ankua se ora ishte “e mërzitshme dhe bezdisëse”. Arrestimi i Jones u bë pak pas incidentit. Gjatë marrjes në pyetje, ajo dyshohet se deklaroi se e kishte bërë gjithçka nga mërzia dhe për t’u “argëtuar pak”.
Një hetim i brendshëm i shkollës ka ngritur dyshime se Jones mundi të anashkalonte verifikimin e identitetit dhe të përshtatshmërisë për mësuesit zëvendësues, pasi njihte disa punonjës të ish-shkollës së saj. Seanca paraprake gjyqësore pritet të mbahet më 20 tetor. Në rast se shpallet fajtore, ajo mund të dënohet deri në 21 vite burg.
Avokatët e 23-vjeçares kanë thënë se ajo vuan nga çrregullimi bipolar dhe se ditën e ngjarjes mund të ketë pasur probleme me medikamentet që përdorte. Këto pretendime do të shqyrtohen gjatë procesit gjyqësor.







