Përplasje Berisha-Klosi për Territorialen, deputeti i PS-së: Do t’i fitojmë të gjitha bashkitë
Diskutimet për reformën territoriale në Kuvend u shoqëruan me debate të forta mes kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe deputetit socialist Blendi Klosi.
”Jemi më të fortë se kurrë, të gatshëm t’ju sfidojmë që, nga të gjitha bashkitë që do të dalin nga ligji i sotëm, të merrni më pak se gishtat e dorës bashki në zgjedhje. Nëse nuk bëjmë gabime, të gjitha bashkitë që do të dalin nga ligji i sotëm do t’i fitojmë. Jemi këtu për t’u përballur me argumente, sepse mendojmë se bashkimi i bën bashkitë më të forta dhe u shërben më mirë qytetarëve. Le të hyjmë në diskutim të rregullt parlamentar. Mos bëni rrëmujë. Ose diskutoni, ose shkoni protestoni. Nuk keni asnjë shpresë, reforma do të votohet”, u shpreh Klosi.
Në përgjigje të deklaratave të Klosit, kreu i PD, Berisha e sulmoi deputetin socialist duke iu referuar pretendimeve për lidhjen e tij me lojërat e fatit. “Një njeri që ia ka blerë bixhozi votën, nuk meriton asnjë përgjigje. Është skllav i vesit të tij. Ndaj, ftoj shqiptarët të shumëzojnë me zero diskutimin që bëri”, tha Berisha.
Klosi zgjodhi të replikonte sërish. ”Replikën e kam te ajo që thonë, që të dëgjojmë qytetarët, që ne na kanë votuar që në vitin 2015. Sot marrim edhe më shumë vota se në 2015. Qytetarët e kanë pranuar me votë. Ajo që më pëlqen është se argumentet e parafolësve janë për intrigat në PS. Keni folur edhe për teatrin. Nëse ju lënë protestuesit, kaloni të shihni teatrin e ri që po përfundon. I vetmi komunist në këtë sallë vazhdon të jetojë në përrallat e veta. Kur ishte i ri, ishte më voluminoz, tani ngec në tri fjali e gjysmë”.

