“Kosova nuk ka kohë për të humbur”, Kurti takon Presidenten e re: Na presin shumë angazhime

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi sot një takim me presidenten e sapozgjedhur të Kosovës, Justina Shiroka-Pula, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt bashkëpunimit dhe koordinimit institucional.
Pas takimit, Kurti tha se te presidentja e re ka gjetur gatishmëri dhe vullnet për bashkëpunim në çështjet me rëndësi për shtetin dhe qytetarët. Ai theksoi se institucionet e Kosovës duhet të punojnë së bashku për përballimin e sfidave dhe avancimin e interesit publik.
Albin Kurti: Mikpritje e përzemërt dhe zotim i përbashkët për punë të mëdha, të përditshme, për interesin shtetëror dhe publik dhe për të mirën e të gjithë qytetarëve pa dallim. Unë e falënderova shumë zonjën presidente, e cila na ka nderuar me pranimin e saj për kandidaturën të martën. Tash na presin shumë angazhime, të cilat natyrisht, me vullnet të mirë dhe të gjithë dijen dhe mundësinë që kemi, do t’i shpiem përpara sa më shpejt që mundemi.
Republika e Kosovës, pas më shumë se një viti e gjysmë, ka institucione funksionale dhe nuk kemi kohë për të humbur. Duhet të bëhemi bashkë për shumë sfida që i kemi përpara. Unë hasa jo vetëm në mirëkuptimin, por edhe gatishmërinë, interesin dhe vullnetin e presidentes së re që të bashkërendohemi maksimalisht për të gjitha gjërat në çdo aspekt.”
Pas takimit, Kurti nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve për çështje të tjera aktuale politike.




