Dosja e Fetah Matajt, bashkëshortit të ish-drejtoreshës së Postës së Durrësit, Elisabeta Mataj, sipas avokatit të bashkëshortit të saj nuk duhet të hetohet më nga Prokuroria e Durrësit, por nga SPAK.
Pas përfundimit të shqyrtimit të masës së sigurisë, avokati Ilia Ilia deklaroi se hetimi duhet të kalojë në Prokurorinë e Posaçme, pasi sipas tij bëhet fjalë për një aferë me përmasa të mëdha financiare.
Sipas avokatit, ndërkohë që dëshmitë kundër klientit të tij janë të pamjaftueshme, ai drejton vëmendjen tek fakti në Postën e Durrësit është krijuar një "gropë financiare" prej rreth 250 milionë lekësh të rinj, ose 2.5 milionë euro në të cilën është më shumë e përfshirë shefja e financës.
"Brenda Postës, ata që kanë drejtuar financën janë sjellë si pronarë dhe këtë e kanë kryer në bashkëpunim me të tjerë. Gropa financiare është 2 miliardë e gjysmë lekë të vjetër. Po kërkohet të fshihet e vërteta. Jemi në konflikt të hapur me Prokurorinë e Durrësit, e cila prej tre muajsh nuk ka siguruar asnjë provë. Ne kemi sjellë aktin e ekspertimit që provon falsifikimin e bërë nga ish-shefja e financës, por merren me Fetah Matajn, sikur biografia e tij t'i shërbejë interesit publik. Këtu duhet të dalin lekët që i janë vjedhur këtij populli. Provat implikojnë persona të tjerë, por nuk shqyrtohen. Kjo çështje duhet të merret nga SPAK, sepse mënyra si janë sjellë me fondin publik të krijon bindjen se kanë vepruar si grup kriminal, si pronarë të fondit publik", deklaroi avokati.
Në vazhdën e zhvlerësimit të dëshmive të akuzës, mbrojtësi i Fetah Matajt vuri në pikëpyetje edhe dëshmitë e administruara deri tani në dosje.
Sipas tij, vetëm një dëshmitare ka deklaruar se i është kërkuar t'i dorëzonte çdo muaj 330 euro Fetah Matajt nga Trëndelina Oxhaku. Avokati tha se kjo punonjëse ishte proceduar më parë për shkelje disiplinore nga ish-drejtoresha Elisabeta Mataj, me propozim të ish-shefes së financës.
"Vetëm një dëshmitare ka pranuar se më është kërkuar nga Fetah Mataj t'i dorëzojë 330 euro në muaj nga Trëndelina Oxhaku. Trëndelina është proceduar për shkelje disiplinore nga ish-drejtoresha, gruaja e klientit tim, me propozim të ish-shefes së financës për shkelje të bëra gjatë detyrës. Deri tani gropa financiare e vjedhjes së pasurisë publike ka shkuar në 2 miliardë e gjysmë lekë të vjetër. Prokuroria nuk heton ku kanë shkuar këto para, por merret me biografinë kriminale të klientit tim. Ky grup nuk është kapur, sepse e kanë menaxhuar Postën familjarisht", tha ai.
Fetah Mataj u arrestua më 5 tetor, pasi dyshohet se u kërkonte punonjëseve të Postës 25 mijë lekë të rinj në muaj, ose rreth 250 euro, për t'i mbajtur në vendin e punës. Sipas hetimeve, skema u zbulua gjatë marrjes në pyetje të punonjëseve në kuadër të dosjes së Postës së Durrësit. Gjykata e Durrësit vendosi masën e sigurisë "Arrest në burg" për Matajn. Vendimi u dha nga gjyqtari Xhevdet Lika në një seancë të zhvilluar pa praninë e mediave
Emri i tij doli gjatë hetimeve ndaj bashkëshortes, ish-drejtoreshës Elisabeta Mataj, e cila ndodhet në arrest shtëpie dhe po hetohet për dyshimet se ka përvetësuar rreth 700 mijë euro të destinuara për pensionet dhe ndihmën sociale. Hetimet zbuluan më pas edhe dyshimet se bashkëshorti i saj u merrte para vartëseve për t'i mos i larguar nga puna.
Ndërkohë, vetëm dy muaj pas arrestimit të Elisabeta Matajt, Fetah Mataj u emërua përgjegjës për Evadimin e Mbetjeve Urbane në Bashkinë e Durrësit, ndërsa tashmë ndodhet edhe ai nën masën e sigurisë "arrest në burg".










Komente
Komento