Reforma Administrativo-Territoriale ka sjellë përplasje të forta politike brenda dhe jashtë Kuvendit paraditen e kësaj të enjte, (8 tetor 2026).
Në Parlament diskutohet projektligji që parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, ndërsa jashtë godinës opozita dhe qytetarë protestojnë kundër hartës së re.
Ultimatumi i Ramës për të vetët
Për miratimin e projektligjit të territoriales nevojiten 84 vota ndërsa para nisjes së seancës plenare kryeministri Edi Rama mblodhi grupin parlamentar socialist, pasi dy deputetë të PS-së, Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj, kishin votuar kundër draftit në mbledhjen e mëparshme.
Gjatë mbledhjes Rama u ka kujtuar deputetëve statutin e Partisë Socialiste dhe u ka thënë se miratimi i reformës territoriale është vendim politik i PS-së. Rama ka paralajmëruar se deputetët që nuk votojnë pro projektligjit largohen nga partia.
“Kush nuk voton reformën territoriale sot, le të iki”,- është shprehur Rama.
Në mbledhjen e mëparshme të grupit, Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj kishin votuar kundër projektligjit, ndërsa pas mbledhjes me Ramën ky i fundit ndryshoi qëndrim.

Debatet dhe përplasjet në Kuvend
Seanca plenare nisi në orën 10:00, ndërsa reforma territoriale ishte pika e shtatë e rendit të ditës. Opozita kishte paralajmëruar kundërshtimin e projektligjit brenda sallës dhe protestën jashtë Kuvendit.
Në Kuvend, Partia Demokratike kërkoi heqjen e projektligjit nga rendi i ditës. Sali Berisha kërkoi që për hartën e re territoriale të zhvillohet referendum dhe që vendimin ta marrin qytetarët.
“Ne do bëjmë çdo përpjekje që reforma të mos kalojmë, do u sqarojmë shqiptarët se çfarë përfaqëson kjo reformë, se si shkelmohet interesat e tyre e tyre për karrigen e Edi Rama, se si Edi Rama para fundit të pushtetit është i aftë të ndërmarrë çdo akt”,- u shpreh Berisha ndër të tjera.

Gazment Bardhi akuzoi mazhorancën se po ushtron presion ndaj deputetëve socialistë për të votuar pro reformës. Në replikë me Taulant Ballën, Bardhi tha se bashkitë janë lënë pa kompetenca dhe financime dhe iu referua presionit ndaj deputetëve gjatë mbledhjes së grupit të PS-së.
“Të ndalet menjëherë dhuna ndaj qytetarëve që protestojnë jashtë kësaj godine. Është e papranueshme që qytetarëve t’i mohohet e drejta për të protestuar. Le të ndalin menjëherë shkeljen e ligjit dhe t’i garantojnë qytetarëve të drejtën për protestë paqësorë.






















