Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Ekonomi

Autoriteti Rrugor Shqiptar projekton lidhjen e autostradës së Thumanës me Unazën e Tiranës

Shkruar nga Newsbomb

Autoriteti Rrugor Shqiptar projekton lidhjen e autostradës së

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur këtë të enjte procedurën e prokurimit për projektimin e një aksi të ri rrugor që do të lidhë drejtpërdrejt autostradën Thumanë-Kashar me Unazën e Madhe të Tiranës, duke anashkaluar Kamzën. Fondi limit për këtë procedurë është 138.6 milionë lekë, ose rreth 1.4 milionë euro.

Tenderi ka si objekt “Studim Projektim Ndërtim rruga Hyrje veriore e cila anashkalon Kamzën, duke lidhur autostradat e veriut, drejtpërdrejt me unazën e re të Tiranës”.

Sipas termave të referencës të publikuara nga ARRSH, aksi i ri parashikohet të ketë një gjatësi prej rreth 17 kilometrash, duke nisur në pjesën jugore të nyjës së Rinasit, pranë autostradës Thumanë-Kashar, dhe duke përfunduar në Unazën e Madhe të Tiranës, në zonën e Paskuqanit.

Gjurma e rrugës do të kalojë në territorin e Bashkisë Kamëz, përmes zonave të Valiasit dhe Zallherrit, për të vijuar drejt Paskuqanit. Ajo do të ndërpresë rrugën ekzistuese Kamëz-Fushë Krujë dhe do të kalojë pranë Repartit Ushtarak të Zallherrit dhe depos së ujit, përpara se të lidhet me Lotin 7 të Unazës së Madhe.

Segmenti do të jetë një rrugë tërësisht e re, e klasifikuar si rrugë ndërurbane kryesore. Projekti synon të krijojë një lidhje të drejtpërdrejtë midis autostradës Thumanë-Kashar, pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian, dhe Unazës së Tiranës, e cila lidhet më tej me autostradën Tiranë-Elbasan dhe Korridorin VIII.

Sipas dokumenteve, qëllimi është lehtësimi i qarkullimit nga veriu drejt kryeqytetit, duke shmangur kalimin përmes qendrës së Kamzës dhe duke përmirësuar lidhjen me rrjetin kryesor rrugor të Tiranës, raporton Monitor.al.

Në fazën e projektimit, konsulenti do të duhet të shqyrtojë të paktën dy variante të gjurmës, përfshirë një alternativë që shfrytëzon pjesërisht rrugët ekzistuese. Për secilin variant do të përgatiten vlerësimet teknike dhe ekonomike, përpara përzgjedhjes së zgjidhjes përfundimtare.

Projekti do të përfshijë gjithashtu studimin e nyjeve lidhëse në nivel ose disnivel, rrugëve dytësore, mbikalimeve për këmbësorët dhe veprave të tjera të nevojshme të infrastrukturës. Një pjesë e dokumentacionit do t’i kushtohet edhe identifikimit të pronave dhe objekteve që mund të preken nga ndërtimi, si dhe përgatitjes së dokumentacionit për shpronësimet.

Pas miratimit të projektidesë nga Këshilli Teknik i ARRSH-së, do të hartohet projekti i detajuar i zbatimit, së bashku me preventivin përfundimtar të ndërtimit. Financimi i projektit është parashikuar në programin buxhetor të transportit rrugor për periudhën 2026-2028.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese