Mazniku mbron hartën e re territoriale: Kur bashkohemi, bëhemi më të fortë

Bashkëkryetari i mazhorancës për reformën territoriale, Arbjan Mazniku, ka mbrojtur në Kuvend propozimin për hartën e re administrative, e cila parashikon shkrirjen e 15 bashkive. Sipas Maznikut, ndryshimi i hartës nuk duhet parë thjesht si një shkrirje administrative, por si një mënyrë për të krijuar njësi vendore më të fuqishme dhe më të afta për t’u ofruar qytetarëve shërbime më cilësore.
Duke iu përgjigjur kritikave për prekjen e kufijve të bashkive ekzistuese, Mazniku deklaroi se qytetarët nuk e matin shërbimin publik përmes hartës administrative, por përmes asaj që marrin çdo ditë në shtëpitë, lagjet, fshatrat dhe qytetet e tyre.
“Kur bashkohemi, bëhemi më të fortë”, tha Mazniku, duke shtuar se qytetarët kanë nevojë për rrugë, ujë, pastrim, ndriçim, kanale kulluese, kopshte, çerdhe dhe transport publik, pavarësisht se në cilën bashki ndodhen.
Në fjalën e tij në Kuvend, Mazniku u ndal edhe te reforma territoriale e vitit 2014, të cilën e cilësoi si të suksesshme. Sipas tij, procesi i asaj kohe solli forcimin e bashkive, rritjen e të ardhurave dhe uljen e borxheve, duke rritur edhe kapacitetin e tyre për investime.
“A ishte reforma e vitit 2014 një sukses? Në të gjitha dëgjesat, nga të gjitha diskutimet, po, reforma e vitit 2014 ishte sukses”, deklaroi ai.
Mazniku argumentoi se gjatë konsultimeve për hartën e re nuk u artikulua një kërkesë për rikthimin e sistemit të mëparshëm të komunave. Sipas tij, edhe propozimet alternative për një numër më të madh bashkish nuk dëshmojnë se struktura para vitit 2014 funksiononte më mirë.
“Ajo që erdhi tregoi qartë se bashkitë u forcuan, të ardhurat u rritën, borxhet u ulën, fuqia investuese e bashkive u rrit”, tha ai.
Megjithatë, sipas Maznikut, këto rezultate nuk janë të mjaftueshme për objektivat që mazhoranca ka vendosur për përmirësimin e shërbimeve publike në territor.
“Por kjo është e pamjaftueshme për aspiratën që PS ka për mënyrën se si u shërbehet qytetarëve në territor. Kjo është përgjigjja për arsyen përse ne na duhet të ecim përpara”, u shpreh Mazniku.
Mazniku foli edhe për mënyrën se si është zhvilluar procesi i punës për reformën territoriale, duke kritikuar zvarritjet në fazat e para të punës së komisionit.
Sipas tij, mbledhja e parë e komisionit nuk u zhvillua për 112 ditë, duke bërë që të humbiste një pjesë e konsiderueshme e kohës në dispozicion.
“Nuk erdhën të bënim mbledhjen e parë për 112 ditë. U dogj 41% e kohës dhe mandatit që komisioni kishte”, deklaroi ai.
Mazniku tha se, pavarësisht vështirësive, komisioni vijoi procesin e konsultimeve në të gjithë vendin. Sipas tij, u zhvilluan takime në 23 qarqe dhe u thirrën kryetarët e bashkive, ndërsa u ngritën edhe grupe të përbashkëta ekspertësh për të trajtuar aspektet teknike të reformës.
Sipas Maznikut, një pikë e rëndësishme e procesit ishte data 15 korrik, kur palët nuk arritën dakordësinë për prezantimin e gjetjeve të ekspertëve.
“Më 15 korrik nuk u ra dakord që të prezantoheshin gjetjet. Në këtë moment u gjendëm në një situatë ku rrugët ndaheshin: ose reforma ngecte, ose puna, dëgjesat dhe, më e rëndësishmja, hallet që njerëzit kanë çdo ditë”, tha ai.
Në përfundim, bashkëkryetari i mazhorancës e paraqiti reformën si një proces që duhet të shkojë përtej ndryshimit të kufijve administrativë. Sipas tij, hapi i ardhshëm duhet të jetë puna konkrete për mënyrën se si bashkitë do të ushtrojnë kompetencat, si do të financohen dhe si do të përmirësojnë shërbimet për qytetarët.
“Duhet të fillojmë punën së bashku për kompetencat, financat dhe analizimin”, deklaroi Mazniku.




