Gjykata e Durrësit ka vendosur të lërë prapa hekurave deri në përfundim të hetimeve, burrin e ish-drejtoreshës së Postës Shqiptare, Feta Matajn, i cili akuzohet për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, kryer në bashkëpunim.
Ashtu siç kemi raportuar dhe më parë, Feta Mataj u vu në pranga para tre ditësh nga efektivët e Durrësit pasi një nga punonjëset e Postës Shqiptare, ka deklaruar se në kohën kur gruaja e tij drejtonte Filialin në Durrës, ai u vinte "gjobë" 25 mijë lekë të cilën duhet ta paguante çdo punonjëse.
"Specialistët për Krimet e Rënda të DVP Durrës bënë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” për shtetasin F. M., 44 vjeç, banues në lagjen nr. 15, Durrës.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka caktuar ndaj shtetasit F. M. masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, kryer në bashkëpunim”, njoftoi Policia në momentin e arrestimi të Matajt.
Para pak kohësh, 44 vjeçari u emërua në detyrën e zv.drejtorit të ndërmarrjes komunale të pastrim-gjelbërimit në Bashkinë Durrës, pavarësisht se skandali dhe hetimet ndaj bashkëshortes ishin tashmë publike.
Kujtojmë se, gruaja e tij Elisabeta Mataj u vu nën hetim pas dyshimeve për përvetësimin e fondeve që ishin të destinuara për shërbimet e pagesave në degët postare të Shijakut dhe Krujës. Çështja u bë publike në korrik, kur kontrollet e brendshme të Postës Shqiptare zbuluan mospërputhje në administrimin e fondeve.
Në gusht për Matajn u caktua arrest me burg. Pas afro një muaj, më 25 shtator, gjykata e Durrësit ndryshoi masën e sigurisë ndaj saj duke e çuar në arrest shtëpie, ndërsa vijon hetimi për zhdukjen e rreth 69 milionë lekëve të reja.
