Tridhjetë e tre persona kanë humbur jetën nga një sulm me bomba mbi dy autobusë civilë në qytetin ukrainas që ndodhet pranë vijës së frontit, Kramatorsk, bëjnë të ditur zyrtarët e shpëtimit. Tetëmbëdhjetë persona të tjerë mbetën të plagosur, tha kreu i rajonit të Donetskut, Vadym Filashkin, duke akuzuar Rusinë se kishte vënë në shënjestër autobusët me pasagjerë me qëllim vrasjen e sa më shumë civilëve që të ishte e mundur. Kramatorsku dhe qyteti fqinj, Slovyansk, janë pjesë e të ashtuquajturit "brez i fortifikuar" që Rusia po përpiqet ta pushtojë, në kuadër të pretendimit të Vladimir Putinit për të gjithë rajonin industrial ukrainas të Donbasit. Megjithatë, sulmi i së enjtes pason një rritje të ndjeshme të sulmeve ruse në mbarë vendin dhe një shtim të madh të viktimave civile. Në një sulm të vetëm që shkatërroi një pallat pesëkatësh në Pryluky, në lindje të Kievit, orët e para të së mërkurës, humbën jetën 22 persona, përfshirë pesë fëmijë. Tre prej fëmijëve ishin vetëm një vjeç. Filashkin u bëri thirrje të gjithë atyre që ndodheshin ende në rajonin e Donetskut të zhvendoseshin në zona më të sigurta të Ukrainës.