Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1. FOLKLORI/ÇELET EDICIONI I 32-TË I FESTIVALIT “ODA DIBRANE”
Edicioni i 32-të i festivalit “Oda Dibrane” do të zhvillohet më 9 dhe 10 tetor në Peshkopi dhe Dibër të Madhe, duke mbledhur artistë dhe grupe folklorike nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Festivali i kushtohet folklorit dhe traditës shqiptare, përmes këngëve popullore, valleve tradicionale dhe muzikës folklorike.
2.GRUPI “AKULLTHYESIT”, KONCERT ROCK NË TEATRIN “SKAMPA”
Grupi “Akullthyesit”, i themeluar në vitet ’90 dhe një prej formacioneve që kontribuuan në fillesat dhe zhvillimin e rock-ut shqiptar, rikthehet në skenë me një koncert në Elbasan, më 9 tetor, në orën 19:00, në Teatrin “Skampa”, duke sjellë një mbrëmje që ndërthur nostalgjinë e viteve ’90 me energjinë e muzikës rock.
3.“PANAIRI I LIBRIT TË RI, TË VJETËR E TË PËRDORUR” NË TIRANË
“Panairi i Librit të Ri, të Vjetër dhe të Përdorur” do të zhvillohet më 9 dhe 10 tetor, nga ora 09:00 deri në 20:00, në Tiranë. Panairi sjell libra të rinj, të përdorur në shqip dhe gjuhë të tjera, si dhe botime me zbritje. Ndërkohë, paralelisht mbahet edhe panairi i pavarur i librit në “Përdhe Snack”, nga 8 deri më 11 tetor. me orare të ndryshme gjatë katër ditëve.
4.“UNSEEN” DHE “BOLÉRO”, KËRCIMI BASHKËKOHOR NË TIRANË
Në kuadër të “International Dance Festival of Tirana”, më 9 tetor, në orën 20:00, në skenën e TKOB-së do të prezantohen dy vepra të kërcimit bashkëkohor, “Unseen” dhe “Boléro”. Me koreografi nga Andonis Foniadakis, veprat eksplorojnë përkatësisht vetminë dhe nevojën njerëzore për t’u parë e kuptuar, si dhe energjinë dhe forcën e lëvizjes kolektive nën ritmet e Maurice Ravelit.
5. ORKESTRA SIMFONIKE E KORÇËS PËR HERË TË PARË NË PRISHTINË
Orkestra Simfonike e Korçës prezantohet për herë të parë në Prishtinë sonte, më 8 tetor, në orën 19:30, në Atelienë e Pallatit të Rinisë, me një koncert nën drejtimin e mjeshtrit Petrika Afezollit. Programi përfshin vepra të kompozitorëve shqiptarë dhe klasikëve botërorë si: Çesk Zadeja, Thoma Gaqi dhe Feim Ibrahimi, krahas krijimeve të Wolfgang Amadeus Mozart, Antonín Dvořák, Pietro Mascagni dhe Johannes Brahms.
6. SHFAQJA/“EVERY BRILLIANT THING”, PREMIERË NË “TULLA CULTURE”
“Every Brilliant Thing” (“Gjitha gjërat e mrekullueshme”) është shfaqja që çel sezonin e ri kulturor në Qendrën Kulturore “Tulla Culture” në Tiranë. Vepra e Duncan Macmillan dhe Jonny Donahoe, me regji të Fatos Berishës dhe interpretim të Armond Morinës do të vijë sonte, të premten dhe të shtunën në orën 20:00. Në të ndërthuren humori dhe emocionet në një histori mbi jetën, kujtesën dhe arsyet për të vazhduar përpara.
7. “ZNJ. PLASTIKË”, CIRK PËR FËMIJË NË TEATRIN E KUKULLAVE
“Znj. Plastikë” është premiera e re e Teatrit të Kukullave në Tiranë, një spektakël për fëmijë që ndërthur akrobacinë, magjinë, humorin dhe ngjyrat. Historia sjell përballjen e Plastikes me personazhet e Natyrës, Ujit, Akullit, Reve dhe Ngjyrave, të cilat bashkohen për të mbrojtur botën ku jetojnë. Shfaqja do të vijë nga sot deri më 11 tetor, në orën 17:00, ndërsa shfaqje të tjera do të vijojnë gjatë muajit tetor.












Komente
Komento