Live From Tirana Showbiz

“TikTok ka ndryshuar televizionin”/Balina Bodinaku: TV po shkon drejt fikjes…

E ftuar në studion e “Live From Tirana” me Stenaldo Mëhillin, ka qenë Balina Bodinaku, e cila ka folur më shumë mbi eksperiencën e saj në televizion, por duke u ndalur edhe tek “Big Brother VIP”…

Sa mendon se e ka ndryshuar botën e televizionit kjo furia e botës së Instagramit dhe TikTok-ut?

Unë mendoj se jo thjesht po e ndryshon televizionin, mendoj se po e çon drejt fikjes televizionin. Gjë që në disa vende të botës vihet re si tendencë shumë më tepër se në Shqipëri. Njerëzit janë shumë më tepër të orientuar drejt shikimeve në YouTube apo në platforma të tjera, më shumë se sa në televizionin klasik. Unë jam “shkollë e vjetër”, nuk do heq dot kurrë dorë nga kjo, se i tillë është formimi im, e tillë jam unë. Unë mendoj se televizioni, dhe jo vetëm televizioni, ka rënë pre e demokracisë mediatike. Demokracia në kuptimin e nënsjtrimit ndaj vullnetit të shumicës, duuke hequr dorë nga roli që media dhe televizioni ka, për të edukuar dhe për të imponuar për të mësuar dhe për të qenë një pikë reference për shumicën. Është kthyer raporti i pushteteve dhe unë mendoj se televizioni si shumëçka tjetër sot është në presionin e nevojës për të marrë konfirmim dhe klikime nga shumica, duke mos dashur të rrezikojë aspak në investim më afatgjatë, por shumë më të qëndrueshëm në këndvështrimin tim, në pozicionin e asaj që media ka qenë dhe ka nisur, si instrument për të edukuar dhe për t’iu imponuar për mirë popullsisë, për t’i çuar në një nivel tjetër edukimi mbi të gjitha.