Elton Qyno, Syri.net/
Detaje të reja kanë dalë nga çështja Balluku, ku disa fakte që janë administruar në dosje, kanë detyruar SPAK të rimarrë në pyetje personat e pandehur për çështjen e paracaktimit të tenderit të tunelit të Llogarasë.
Bëhet fjalë për një seri komunikimesh në e-mail që janë kryer mes zyrtarëve dhe përfituesve të tenderit, duke sjellë në paracaktimin e fituesit.
Këto biseda mësohet se janë dorëzuar në SPAK nga persona të jashtëm, ende të paidentifikuar deri në këto momente. Kjo tregon se tashmë faktorë të tjerë të jashtëm janë përfshirë në këtë çështje penale, ku e pandehur është ish-zv/kryeministrja e Shqipërisë, Belinda Balluku.
Ndaj, gjatë këtyre 48 orëve në SPAK, janë thirrur sërish disa ish-vartës të Ballukut. Ku fillimisht u thirr për të dëshmuar Gentian Gjyli dhe Erald Elezi.
Ndërsa ditën e sotme në pyetje për këtë çështje është marrë ish-Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Energjitikës dhe Infrastrukturës, Viola Haxhiademi.
Hetimet e SPAK po shqyrtojnë procedura tenderimi dhe marrëdhëniet mes zyrtarëve dhe subjekteve të përfshira në këto procedura. Pritet që shumë shpejt për këtë çështje në SPAK të paraqitet për të dëshmuar dhe ish-ministrja e Energjitikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Në muajin nëntor 2025, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka komunikuar akuzën e “Shkeljes së barazisë në tendera” 5 të pandehurve të tjerë të përfshirë në dosjen e zv.kryeministres Belinda Balluku.
Të pandehur janë Gentian Gjyli, ish-kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, ish-drejtori i ARRSH-së, Ervis Berberi, i cili është i arrestuar për një tjetër çështje, ish-drejtori i OSHEE-së, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashica.
Të 5-të janë marrë të pandehur në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO), lidhur me procedurën tenderuese të tunelit të Llogarasë.
Hetimi i SPAK ka të bëjë me projektin e madh për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, pjesë e rrugës Orikum-Himarë, që është një seksion i autostradës Vlorë-Sarandë.
Tenderi u hap fillimisht më 11 dhjetor 2020 dhe u mbyll më 12 shkurt 2021. Por më 19 prill 2021, në buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik, u njoftua se tenderi ishte anuluar, pasi asnjë ofertë nuk ishte e suksesshme në përputhje me dokumentet e tenderit.
Në këtë procedurë u paraqitën 6 oferta, ku më e ulëta ishte ajo e shoqërisë “Gjoka Konstruksion” sh.a., me vlerë 14 miliardë lekë ose rreth 140 milionë euro.
E njëjta garë u shpall më 22 qershor 2021 për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, me një fond limit prej afro 190 mln euro pa TVSH.
Në tenderin, i cili u mbyll më 28 korrik po të vitit 2021, u bënë 5 oferta, ku grupi i dy kompanive turke Intecar dhe Asl u shpall fitues, me ofertë 170 mln euro plus TVSH.
SPAK dyshon se Balluku dhe Gjyli kanë kryer veprime që mund të kenë ndikuar në mënyrë të padrejtë në këtë proces prokurimi, pasi tenderi u anulua kur oferta më e ulët ishte 140 mln euro dhe u rihap pak muaj më pas dhe iu dha bashkimit të kompanive turke, edhe pse kishin ofruar vlerë më të lartë.
Tuneli i Llogarasë është një nga projektet më të mëdha infrastrukturore në vend dhe hetimi i SPAK lidhet me mënyrën se si është zhvilluar dhe menaxhuar procedura e tenderit për ndërtimin e tij.
Përpos hetimit për tunelin e Llogarasë, SPAK po heton edhe tenderë të tjerë që përfshijnë Ministrinë e drejtuar nga Balluku.
Gjatë deklarimit në Parlament, kreu i SPAK, Altin Dumani, pohoi se nën hetim është dhe Aeroporti i Vlorës, ndërsa kanë nisur verifikimet paraprake edhe për ndërtimin e autostradës Thumanë-Kashar.
© SYRI.net