Ashtu siç sqaroi Arbjan Mazniku, dhe kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste Taulant Balla gjatë fjalës së tij nga foltorja e Kuvendit theksoi se përmes shkrirjes së bashkive synohet forcimi i tyre dhe përafrimi me standardet europiane.
Nga foltorja e Kuvendit, Balla lidhi reformën me detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi i Shqipërisë në BE dhe me nevojën që bashkitë në vend të jenë më të afta për të realizuar sa më shumë projekte.
“Edhe kjo reformë që do të nisë punën javën e ardhshme, ka detyrat e saj që lidhen me kapitullin 22. Duhet të kemi gati bashki që në vitin 2030 duhet të zbatojnë standardet e BE. Bashki që dinë të implementojnë dhe dinë të bëjnë projekte. Kryetarët që do të dalin nga zgjedhjet e 2027-ës do të jenë ata që do e bëjnë anëtarësimin të prekshëm për qytetarët. Reforma ishte një sukses. Keni ardhur me një propozim me 100 njësi, sipas matematikës së Lulit.”, tha Balla.
Për ndryshimet që pritet të votohen sot në Kuvend, Balla se në 2027 buxheti do të jetë 10 miliardë euro, të cilat do të përdoren si mbështetje për bashkitë në interes të qytetarëve.
“Ju thoni 100 ne themi më pak. Sot shpenzimet vendore janë 3 herë më shumë. Buxheti vendor, por ju bëj edhe një surprizë, 10 miliardë euro do të jetë buxheti i vitit 2027, ku bashkitë janë përfituese. Ja pra qeveria vendore i ka dhënë më shumë mbështetje nga sa i jepnit ju në pushtetin vendor. Katër herë më shumë mblidhen sot të ardhura nga bashkitë, nga sa mblidheshin në kohën tuaj.
Prandaj do ta ndryshojmë drejtimin e bashkisë, për ta kthyer atë në interesin e qytetarëve. Pas anëtarësimit në BE, bashkitë do të hyjnë te mekanizmat e kohezionit. Ju doni të kapni ndonjë një votë kurse ne duam që të jemi gati të konkurrojmë për standardet e BE. Ne duam që të mos humbim asnjë qindarkë.”, shtoi më tej kreu i Grupit Parlamentar.
Ndërkohë, prej më shumë se gjashtë orësh punimet në Kuvend dhe protesta e mbajtur jashtë ambienteve të saj janë shoqëruar me tensione. Paraprakisht bëhet me dije se 8 persona janë shoqëruar në Polici, ndërsa 9 prej protestuesve të sotëm kanë mbetur të plagosur gjatë përplasjeve të sotme me efektivët.




